E Diel, 1 Nëntor 2026

U kap me drogë, vuan dënimin si kamarier



TIRANE - Nga qelia në Juridik. Siç duket, fati i ka buzëqeshur 27 vjeçarit kryeqytetas, që për “shoqninë”, përfundoi pas hekurave të burgut. Ka vetëm pesë muaj që i është rikthyer lirisë dhe veç leksioneve dhe seminareve që duhet të ndjekë në fundjavë në universitet, i duhet që gjatë pesë ditëve të javës të punojë banakier dhe kamarier në një lokal në zonën e Tiranës së Re. Quhet Ervin Tanku, 27 vjeç, familja e tij e ka origjinën nga Kuçova dhe prej shumë vitesh jetojnë në rrugën “Irfan Tomini”. I pyetur për lëndën që e tërheq më shumë, Ervini pohon se ajo është: “E drejta romake”, të cilën e lexon me zell dhe tashmë pretendon se e ka përfunduar librin dhe leksionet që ka marrë në shkollë, edhe pse provimin do e shlyejë semestrin tjetër. Ervini duke qenë djalë i vetëm në familje, gjatë kësaj kohe nuk e kishte vrarë shumë mendjen për të pasur një punë stabël. Për shumë vite me radhë sillej nëpër lagje me shokët e tij, derisa më datë 11 gusht 2007 do të kapej nga policia me 3.5 gramë heroinë. Megjithëse sasia ishte e mjaftueshme vetëm për një përdorues, policia e ka dërguar në qeli poseduesin e saj. Disa muaj më vonë dosja ka mbërritur në gjykatë, ku trupi gjykues që ka shqyrtuar çështjen dhe ka vlerësuar të gjitha rrethanat lehtësuese të çështjes, duke i dhënë të pandehurit minimumin e dënimit, 5 vite burg. Fakti që u kap “me presh në dorë”, siç e thotë edhe vetë Ervini, bëri që ai të mos e mohonte fajësinë, ndërsa gjykata i pranoi aplikimin e gjykimit të shkurtuar në procesin në ngarkim të tij. Kjo i solli uljen e një të tretës së dënimit, ndërsa sjellja e mirë në qeli dhe pendimi për veprën e kryer, ishte arsyeja që gjykata t’i pranonte kërkesën për lirimin me kusht në muajin tetor të vitit të kaluar. Tashmë Ervini, të cilit iu desh të provonte qelitë e katër burgjeve dhe paraburgimeve, mbikëqyret nga një specialiste e Shërbimit të Provës. çdo ditë të mërkurë, në orën 12:00 ai paraqitet në këtë institucion për të firmosur dokumentet, me të cilat vërteton se është sjellë mirë, nuk ka kryer asnjë vepër penale dhe se ka ndjekur me përpikmëri punën në lokal dhe studimet në universitetin privat në një qytet jugor. Tashmë 27-vjeçarit, sipas vendimit të gjykatës, do t’i duhet të mbushë një afat plot dy vjet, kohë gjatë së cilës nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale, pasi veç dënimit për të, do vuajë edhe 7 muaj e gjysmë që nuk i ka shlyer në dënimin e mëparshëm. Shërbimi i Provës, institucion i cili ka nisur të funksionojë në muajin qershor të vitit të kaluar. Gjatë kësaj kohe, janë trajtuar qindra kërkesa të të dënuarish dhe vetëm në kryeqytet, rreth 1000 prej tyre kanë fituar lirinë, të cilët tashmë “mbahen nën vëzhgim” nga specialistët e këtij institucioni. Veç të tjerash, funksionimi i këtij institucioni ka ndikuar në uljen e mbipopullimit të burgjeve, fenomen nga i cili burgjet shqiptare kanë nisur të vuajnë që nga viti 1991. Po kështu, aktualisht në duart e gjyqtarëve kryeqytetas ndodhen rreth 200 kërkesa të tjera të burgosurish që presin të lirohen nëpërmjet këtij institucioni. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›