“Shqipëria shkatërroi 145 mijë rrënjë kanabis në‘09"
Shqipëria ka asgjësuar 145 mijë bimë kanabis sativa gjatë vitit 2009, megjithatë konsiderohet si një nga tre vendet që shërbejnë si burim për trafikun e marihuanës në rajon. Konstatimi i përket zyrës së UNDOC për drogat, e cila pak ditë më parë, publikoi një raport për krimet në fushën e narkotikëve në Evropë dhe Ballkan. Sipas raportit, Shqipëria, Bullgaria dhe Serbia, janë tri vendet e Ballkanit prej nga nisen ngarkesat me kanabis sativa, të cilat trafikohen në Evropë. Shqipëria është konsideruar vend burimi për trafikun e marihuanës në raportet periodike vjetore të Zyrës Kundër Drogave, në OKB ndërsa e reja e raportit të fundit, është se vendi ynë ka pasur rritje të madhe të sasisë së trafikimit, por edhe të drogës së bllokuar dhe asgjësuar nga policia. Raporti vëren se gjatë vitit 2009, Shqipëria zhvilloi plot 300 operacione të ndryshme për kapjen dhe asgjësimin e sasive të marihuanës.
Aksionet
Raporti përmend Shqipërinë në rendin e parë mes shteteve të Rajonit, në klasën e vendeve burim trafiku në raport me sasinë e drogës. Po kështu Shqipëria zë vendin e parë për numrin e aksioneve dhe sasinë e drogës së shkatërruar. Sipas të njëjtit dokument, sasitë më të mëdha të drogës, u bllokuan në Shqipëri, Mal të Zi, Moldavi, Serbi dhe Ukrainë. “Në Shqipëri, më shumë se 145,000 bimë kanabis janë zhdukur në rreth 360 operacione në vitin 2009. Ndërkohë gjatë vitit 2008, ishin konfiskuar 3.941 kg kanabis”, thuhet në raport. Shifrat konfirmojnë qëndrimin e Shqipërisë në vendin e parë, për sa i përket sasive të bllokuara dhe asgjësuara, pasi në Kroaci, gjatë vitit 2008 u konfiskuan vetëm 220 kg kanabis barishte dhe 4 kg kanabis i përpunuar. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, vetëm 57 kg kanabis barishte u konfiskuan në 2008 ndërkohë që në Bullgaria, qeveria ka raportuar se 14.806 kg kanabis bimë dhe 1.026 kg kanabis i përpunuar u konfiskuan në vitin 2008. Bordi që hartoi raportin, u ka kërkuar qeverive të vendeve në Evropën Lindore dhe Qendrore, të intensifikojnë më tej përpjekjet e tyre për t’ju kundërvënë trafikimit të kanabisit.
Rrugët e drogës
Studimi, i cili i përket ditëve të fundit, paraqet informacion edhe mbi rrugët që ndjekin trafikantët e drogës për lëvizjen e ngarkesave narkotike. Sipas raportit në 2009 pati rritje të rasteve në Shqipëri, Bjellorusi, Kroaci, Moldavi, Federatën Ruse. “Kanabisi shqiptar është kontrabanduar nga toka në destinacione kryesore përmes ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Bullgarisë, Turqisë dhe rrugëve që të çojnë në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mali i Zi, Serbi, Slloveni dhe më tej në vendet e Evropës Perëndimore. Raporti vlerëson se në vitin 2009 ka pasur rritje të ndjeshme të personave që konsumojnë drogë, ndërsa rekordin e mban federata ruse. Po kështu është vënë re rritje e ndjeshme e personave që kanë marrë infeksione me virusin HIV, gjatë injeksioneve për marrjen e drogës në organizëm me anë të shiringave. Tregu i dytë më i madh është Ukraina, me rreth 323,000-423,000 përdorues të narkotikëve. Në vitin 2008, është raportuar rritje në shumicën e vendeve të Evropës Lindore, veçanërisht në Shqipëri, Bjellorusi, Kroaci, Republikën e Moldavisë, etj. tr.so