"Burg pa afat"trafikantit të 676 kg hashash
TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda caktoi dje masën e sigurisë "arrest me burg" për Kledian Kokën, të dyshuar si trafikuesin e një sasie prej 676 kilogramësh marijuanë. I arrestuar katër ditë më parë në Sarandë, 31-vjeçari Koka u paraqit te Krimet e Rënda për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij. Burime pranë seancës bënë të ditur, se vetë Koka nuk ka shfaqur pretendime. Gjykata pasi është njohur me pretendimet e palëve, ka vendosur lënien e tij në qeli deri në përfundim të hetimeve. Sipas prokurorisë, Koka akuzohet për "trafik të lëndëve narkotike". Kledian Koka u prangos më 14 mars në fshatin Piqeras të Sarandës. Ai u shpall në kërkim nga policia, pas dyshimeve se ishte zotëruesi i një sasie prej 676 kilogramësh lëndë narkotike e llojit cannabis sativa. Sasia u gjet në vendin e quajtur Plazhi i Bunecit Sarandë. Gjithçka u zbulua pas identifikimit nga radarët policorë të një mjeti lundrues që po vinte nga ishulli i Korfuzit në drejtim të tokës shqiptare. ar.ba