Tiranë, zhduket nga shkolla 15-vjeçarja
TIRANE - Familjarët e një vajze 15-vjeçare denoncuan dje zhdukjen e adoleshentes, e cila prej dy ditësh nuk është kthyer në shtëpi. Burime zyrtare të policisë, thanë dje se kanë marrë kallëzimin penal në komisariatin nr. 2 të policisë së kryeqytetit, për zhdukjen e vajzës, nxënëse në shkollën e mesme "Petro Nini" në kryeqytet. Sipas familjarëve të vajzës, dy ditë më parë 15-vjeçarja kishte shkuar si zakonisht në shkollë dhe pas përfundimit të mësimit, nuk është kthyer në banesë. Familja nuk ka marrë asnjë lajm prej saj edhe pse kanë kaluar dy ditë nga humbja e kontakteve me të miturën. Menjëherë pas denoncimit të paraqitur dje në polici, forcat e Rendit kanë nisur hetimin e ngjarjes. Familjarët thanë se nuk denoncuan menjëherë në polici, duke menduar se vajza ishte te ndonjë shoqe e do të kthehej. E zhdukura mësohet se është mbesa e një prokurori të njohur në kryeqytet. Policia ka shpërndarë fotografinë e vajzës në strukturat e saj, të cilat janë angazhuar në kërkimin dhe gjetjen e 15-vjeçares. Ndërkohë, gjatë mbrëmjes së djeshme janë mbledhur dëshmitë e familjarëve. e.d