Gjykata e Lartë liron drejtorin e tenderave
Lirohet nga qelia Bujar Murati, ish-drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit të procedurave të Përqendruara të Prokurimit pranë Ministrisë së Brendshme, i arrestuar për korrupsion. Vendimin për lirimin e tij nga qelia e shpalli pasditen e djeshme Gjykata e Lartë, e cila pranoi kërkesën e mbrojtësit të Bujar Muratit dhe vetë të arrestuarit për zbutje të masës së sigurisë, duke vendosur ndaj tij "arrest shtëpie". Trupi gjykues argumentoi se kjo masë vendosej duke respektuar personalitetin e të pandehurit dhe pozicionin e tij përballë akuzës. Sipas gjykatës, Bujar Murati ka arsim të lartë dhe është familjar i rregullt. Për më tepër, sipas gjykatës, ai nuk mund të ndikonte në dëmtimin e hetimeve, pasi provat në ngarkim të tij organi i akuzës i kishte mbledhur dhe dokumentuar tashmë. Po kështu, gjykata ka vlerësuar se edhe rrezikshmëria shoqërore e të pandehurit është e ulët ndaj ai duhet të qëndronte në arrest shtëpie, nisur edhe nga gjendja familjare e tij. Pas kësaj, gjykata urdhëroi burgjet për lirimin e tij, nëse nuk mbahej në qeli për ndonjë vepër tjetër penale. Bujar Murati u vu në pranga më 23 dhjetor të vitit të kaluar, së bashku me 5 persona të tjerë, gjatë operacionit të koduar "Prokurimi i fundit". Të arrestuarit, biznesmenë dhe zyrtarë u akuzuan të ishin përfshirë në afera korruptive, që kishin të bënin me tenderin 170 milionë lekë të reja të uniformave të Ministrisë së Brendshme. Sipas prokurorisë, të pandehurit u akuzuan për përfshirjen në korrupsion të një shume prej 125 mijë eurosh. Pas arrestimit të tyre, policia e kryeqytetit pohoi se gjatë operacionit "Prokurimi i fundit", u vënë në pranga 39-vjeçari Bujar Murati, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, Drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit të Procedurave të Përqendruara të Prokurimit në Ministrinë e Brendshme; Redi Popesku, 31 vjeç, me detyrë specialist në Ministrinë e Integrimit; Tahir Imami, 49 vjeç, Shef i Programimit të Prokurimeve në Gardën e Republikës; Jani Gjergjefi, 49 vjeç, pronar i kompanisë "Gjergjefi"; Artan Berberi, 43 vjeç, pronar i kompanisë "Malbertex", si dhe Agur Sadikut, 47 vjeç, pronar i kompanisë "Sadiku". Tashmë masat e sigurisë për ta janë zbutur, ndërsa në Bullgari është arrestuar për llogari të hetimit në Tiranë biznesmeni Ilir Sulo. fa.ma.