E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg për Mancinin

Amantino Mancini është dënuar me dy vjet e tetë muaj burg, pasi ka dalë fajtor për përdhunimin e një femre braziliane. Gjithçka kishte ndodhur natën e 8 dhjetorit të vitit që shkoi, kur futbollisti brazilian e kishte dërguar në apartament viktimën, e cila në ato momente ishte e dehur. Pala mbrojtëse e ish futbollistit të Romës, Interit dhe Milanit ka paralajmëruar ankesë.

Pas tentim-vrasjeve dhe vrasjeve të javëve të fundit, kronika e zezë në futboll nuk ka të ndalur. Rasti i fundit e ka goditur mesfushorin brazilian Amantino Mancini.

Ish futbollisti i Romës, i Interit dhe i Milanit, sot në Atletico Mineiro, është dënuar me dy vjet e tetë muaj burg, pasi që është gjetur fajtor nga gjykata italiane për përdhunim seksual, njofton agjencia ANSA.

31 vjeçari akuzohet për përdhunimin seksual dhe lëndimin fizik të një femre të re braziliane në apartamentin e tij në Milano, në natën e 8 dhjetorit të vitit që shkoi. Kurse shoku i Mancinit, Gerardo Eugenio do Nascimento është dënuar me 10 muaj burg, për shkak të detyrimit të viktimës që të mos e raportojë rastin në polici.

Mancini, i cili e ka shprehur pafajësinë e tij përpara gjyqit, ka bërë të ditur se akti seksual është bërë me marrëveshje, pasi që e kishte takuar femrën në një ndejë të organizuar nga bashkëkombësi i tij, më pas edhe shoku i skuadrës, Ronaldinho.

Sipas akuzës, Mancini iu kishte ofruar viktimës që ta shoqëronte, derisa ajo kishte pirë shumë alkool dhe nuk ndihej në gjendje të kthehej e vetme në shtëpi. Mirëpo futbollisti në vend se ta dërgonte aty ku dëshironte ajo, e kishte çuar në apartamentin e tij, duke abuzuar me të.

Në mëngjes, ai e kishte përcjellë brazilianen me një taksi dhe me 50 euro, sepse atij i duhej të shkonte në stërvitje. Pala mbrojtëse e futbollit ka paralajmëruar se do të ankohet, duke e konsideruar si të ekzagjeruar vendimin e gjykatës italiane. Ish përfaqësuesi brazilian ishte transferuar në Atletico Mineiro gjatë verës që shkoi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›