Messi, më i vlefshmi

Sfida ndërmjet Barcelonës dhe Real Madridit vazhdon të shtrihet në të gjitha sferat. Në njërën ose mënyrën tjetër, nëse flitet për futbollin, pa i përmendur këto dy skuadra është e pamundur. Janë dy skuadrat më të trofeshme të Spanjës dhe momentalisht ndoshta dy ekipet më të mira në botë.
Yjet që i posedojnë këto dy skuadra ndoshta nuk i ka asnjë tjetër. Edhe vlera e tyre është aq e madhe, sa mund t’i kapë miliardat. Për këtë është e bindur edhe shoqëria e marketingut nga Brazili, ‘Pluri Consultoria’, e cila është marrë me vlerën e futbollistëve.
Sipas saj, janë pikërisht lojtarët e këtyre dy klubeve më të vlefshmit në botë. Në piedestal gjendet ylli argjentinas Lionel Messi, 24 vjeç, i cili vlerësohet 100 milionë euro. Kurse rivali i tij, Cristiano Ronaldo, duhet të kënaqet me pozitën e dytë. Ylli portugez i Real Madridit është vlerësuar 90 milionë euro.
Për ta dekretuar vlerën e secilit futbollist janë marrë në konsideratë parametra të ndryshëm, për të qenë më të saktë: mosha, cilësitë teknike, disiplina taktike, rregullsia, vizioni i lojës, kontributi në skuadër, pozicionimi në fushë, prezenca në Kombëtare, kondicioni fizik, titujt e fituar dhe në fund aftësia për të krijuar vlera në drejtim të marketingut.
Nëse e shikojmë më detajisht, Barcelona e fiton këtë duel të veçantë me Real Madridin, duke e pasur parasysh se në top 10 gjenden shumë kampionë të drejtuar nga Pep Guardiola.
Pas Messit e Ronaldos, në pozitën e tretë e gjejmë mesfushorin e Barcelonës, Andres Iniestan (65 milionë). Pozitën e katërt dhe të pestë e ndajnë Cesc Fabregas nga Barcelona dhe Wayne Rooney nga Manchester United, që vlerësohen nga 55 milionë euro.
Talenti i Santosit, Neymar vlerësohet 50 milionë euro, derisa prapa tij gjendet sulmuesi i Barcelonës, David Villa dhe shoku i tij i skuadrës, por nga reparti i mesfushës, Xavi Hernandez, që vlejnë nga 45 milionë.
Sulmuesi i Chelseas, Fernando Torres dhe ai i Anzhit, Samuel Eto'o e mbyllin dhjetëshen e futbollistëve më të vlefshëm në botë. Ata vlejnë nga 42 milionë euro.