E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg për Padovanon, ish-Juventus e Napoli

Mikele Padovano, ish-lojtari i Napolit dhe Juventusit, u shpall fajtor për organizimin dhe drejtimin e një organizate mafioze e cila merrej me trafik droge në Itali. Padovano u dënua nga një gjykatë italiane në Torino me 8 vjet e 8 muaj heqje lirie ditën e djeshme. Organet hetimore kërkuan nga gjykata një dënim prej 24 vitesh burg për të, pasi e cilësonin si koka e njërit prej rrjeteve më të mëdha të shpërndarjes së drogës në të gjithë Italinë e Veriut, e sidomos në dy qytetet më të mëdha, Torino e Milano. Mikele Padovano, aktualisht 45 vjeç, ka luajtur futboll në shumë klube, madje edhe jashtë Italisë, si me Metzin në Francë dhe Kristal Pallas në Angli. Por kulmi i karrierës së tij do të ishin 2 vitet, nga 1995 deri në 1997 kur luante për Juventusin, megjithëse ishte vetëm një sulmues rezervë. Në vitin 1997 ai provoi të luante, por pa sukses edhe fanellën e kombëtares italiane të futbollit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›