Burg për përdhunuesin e të miturës, “bashkëpunëtorja” akuzohet për moskallëzim krimi
22/05/2005 TIRANË- Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë "burg pa afat" për Ardian Currin, i cili, sipas policisë, në bashkëpunim me Alma Markun, ka përdhunuar një të mitur në një hotel në periferi të kryeqytetit. Ndërsa për Markun, gjykata vendosi "detyrim me paraqitje" për veprën penale të moskallëzimit të krimit, për të cilën e akuzon edhe Prokuroria. Nga ana tjetër për Currin ka dy akuza, ajo e mashtrimit dhe e përdhunimit. Avokati mbrojtës ka kërkuar që vajzës së përdhunuar t’i kryhet një ekspertizë te mjekët eksperto-ligjorë. Ndërsa, Prokuroria ka nxjerrë konkluzionin se nuk janë përdorur substanca të drogës, të cilat mendoheshin se i ishin hedhur në pije të dëmtuarës. Prokuroria e akuzon Currin, se me anë të mashtrimit ka marrë në ambientet e një hoteli një vajzë të mitur, me të cilën ka kryer marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së saj. Ndërsa, nga hetimet paraprake, është konkluduar se Alma Marku nuk ka qenë bashkëpunëtore e Currit, por vetëm se nuk ka kallëzuar krimin e kryer prej tij.