E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ibraj, takime në Maqedoni kundër krimit të organizuar dhe sigurimit të kufijve

22/05/2005  TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Bajram Ibraj, i kërkon gjatë një takimi bilateral, drejtorit të Policisë së Maqedonisë, Cane Capragoskit, mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit thanë se, Ibraj e ka zhvilluar këtë takim në datën 18 maj. Të dy drejtuesit kanë shprehur vlerësimet e tyre pozitive për bashkëpunimin e deritanishëm, i cili në shumicën e rasteve ka dhënë rezultate të kënaqshme. Pikat kryesore në të cilat është përqëndruar takimi, kanë qenë bashkëpunimi më i thellë në luftë kundër krimit të organizuar, menaxhimi i integruar i kufijve, lufta e përbashkët ndaj trafikut të drogës dhe bashkëpunimi për përballimin e sezonit turistik. Ibraj i ka propozuar homologut të tij maqedonas për domosdoshmërinë e nënshkrimit të një Marrëveshjeje të Përbashkët për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, marrëveshje, e cila do të ngrinte në një nivel më të lartë bashkëpunimin mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Menaxhimi i integruar i kufijve, për kufij të sigurtë, ishte pjesë e rëndësishme e takimit, dhe të dy drejtuesit ranë dakord për takime të përditshme të përfaqësuesve të njësive policore kufitare respektive, me qëllimin e mirë për të dhënë një impuls të ri në shkëmbimin në kohë reale të informacionit, por në të njëjtën kohë dhe për të asistuar në zgjidhjen e problemeve të përbashkëta në fushën e menaxhimit dhe ruajtjes së kufirit. Në fokus ka qenë dhe takimi i datës 1 qershor, i cili do të zhvillohet në Tiranë me drejtorët e policisë së Maqedonisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe përfaqësuesit të FBI–së për këto vende. Ndërkohë, në datën 19 maj 2005, në Ohër të Maqedonisë, është zhvilluar takimi i radhës për vitin në vazhdim të Shoqatës SEPCA (Shoqata e Shefave të Policisë të Evropës Juglindore). Pikë e rëndësishme e këtij takimi ka qenë analiza e deritanishme e punës së shoqatës, analizë e cila është shoqëruar dhe me një pasqyrë të të gjitha aktiviteteve të zhvilluara gjatë tre viteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›