Ish të përndjekurit, Nishani: Nuk ka fonde. Mungon baza ligjore
Ministri i Drejtësisë i përgjigjet shqetësimit të anëtarëve të komisionit, për ata që janë pushkatuar pa gjyq dhe për të internuarit
TIRANË - Për kompensimin financiar të ish të përndjekurve, nuk ka as fonde, por as bazë ligjore. Bëhet fjalë për familjarët e personave të ekzekutuar pa gjyq, si dhe për ata, të cilët kanë qenë të internuar, për të cilët Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, dje gjatë prezantimit të buxhetit në Komisionin e Ligjeve, nuk ka mundur të japë përgjigje konkrete.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, u shpreh dje gjatë mbledhjes së komisionit për kontaktet e vazhdueshme të deputetëve me familjarët e personave të ekzekutuar pa gjyq, për të cilët është dashur edhe një modifikim në ligjin aktual për të përndjekurit.
Për këtë arsye, Rusmali ka pyetur Ministrin e Drejtësisë, Bujar Nishani, nëse brenda këtij buxheti të vitit 2010-të, do të jetë e mundur të fillojë dëmshpërblimi edhe për këtë kategori personash. Por, përgjigja e Ministrit Nishani ka qenë krejt e pashpresë për këtë kategori.
Besoj se me t'u mbyllur nga pikëpamja procedurale, ne kemi qenë dhe mbetemi në negociata të vazhdueshme me ministrinë e Financave dhe nga ministria e Financave na është garantuar se në momentin që plotësohet pjesa e akteve të duhura nënligjore për këtë qëllim pa dyshim do të ketë dhe rialokim të buxhetit për të filluar menjëherë dëmshpërblimin e tyre", - u shpreh ai.
Sipas Ministrit, mungesa e bazës ligjore është pengesa edhe për një tjetër kategori, po aq të persekutuar në kohën e regjimit komunist, atë të internuarve. Anëtari i Komisionit të Ligjeve, Eduard Halimi, ka qenë i interesuar, nëse për kategorinë në fjalë, do të ketë dëmshpërblim financiar vitin që vjen.
"Së pari, e theksova dhe pak më parë, e rëndësishme është të dalë kuadri ligjor, se pa dalë ai nuk mund të ketë planifikime për sa i takon çështjes së buxhetit, aq më tepër që pjesa e planifikimit të buxhetit vjen nga ministria e Financës mbi kërkesat që bën ministria e linjës për një çështje konkrete", - tha Nishani.
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, është pyetur dje nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, se për sa vjet do të mbyllet çështja e dëmshpërblimit e gjithë kategorisë së ish të përndjekurve dhe se kush është planifikimi i qeverisë për zgjidhjen e këtij problemi.
"Natyrisht që ka një plan, i cili bazohet mbi ligjin e miratuar dhe që parashikon që brenda tetë viteve të realizohet shpërndarja e të gjithë mbështetjes financiare apo kompensimit financiar për të dënuarit politikë. Aktualisht, po punohet me intensitet në Ministrinë e Drejtësisë, nga sektori përkatës. Deri tani janë mbi 3500 kërkesa të realizuara dhe të kaluara me vendim qeverie.
Aktualisht, është në përfundim një vendim tjetër qeverie me 500 kërkesa të tjera që kanë përfunduar të gjithë procesin e dorëzimit të kërkesave, plotësimit të dosjeve sipas kërkesave që parashikon ligji. Brenda këtij viti do të tentojmë të realizojmë 1000 mijë kërkesa të tjera dhe për sa kohë buxheti është parashikuar për këtë ecje, për këtë plan kalendar që ne e kemi shtrirë përgjatë tetë viteve absolutisht që kemi besimin e plotë", - u përgjigj Nishani.
Sipas tij, çështja nuk ka të bëjë me financimin apo mosfinancimin e buxhetit, por te procedurat. Nishani theksoi se çështja është tërësisht teknike dhe lidhet thjesht me verifikimin e atyre kërkesave, që ligji kërkon të verifikohen para se të shkojë të bëhet e vlefshme në ministrinë e Financave.