Burg përjetë, vranë anglezin
LEZHË - Akuza kërkoi dje burgim të përjetshëm për Arlind Vukajn dhe Mario Pjetrushin, të cilët akuzohen për vrasjen me paramendim të anglezit Eduard Craythorne, ngjarje e ndodhur më 2 shkurt 2008. Kërkesa e prokurorit Arben Govi në seancën e djeshme gjyqësore është shoqëruar nën masa të rrepta sigurie nga ana e policisë së Lezhës, si dhe të Drejtorisë së Burgut të Shën Kollit. Pretenca e prokurorit Arben Govi është dhënë në orën 13:00, ku sipas akuzës, bazuar në hetime, mbrëmjen e 2 shkurtit, Arlind Vukaj dhe Mario Pjetrushi kanë luajtur qetësisht në bilardon në Shëngjinit, vetëm pak orë pasi kishin masakruar me mjete të forta dhe e kanë hedhur në një pus të braktisur shtetasin anglez Eduart Craythorne, dhe kjo për të mbuluar gjurmët e krimit. Sipas akuzës, dy të rinjtë kishin nevojë të ekspozoheshin në publik atë pasdite, pasi nuk donin që kur të gjendej trupi i viktimës, dikush të dyshonte për ta. Ndërkohë që shtetasi anglez dy ditë para vrasjes kishte fjetur në shtëpinë e Pjetrushit, duke i dhënë mundësi Marios të mësonte se kur kishte ndërmend të nisej drejt Anglisë. Planin për zhdukjen e tij, Pjetrushi dhe Vukaj e kishin bërë në bashkëpunim dhe pasi e kishin tërhequr Eduard Craythorne për të dalë shëtitje në malin e Shëngjinit, ku edhe do të konsumonin hashash larg syrit të policisë, kishin realizuar edhe qëllimin. Sipas Govit, para ekzekutimit ka pasur një përleshje mes Arlind Vukës, Mario Pjetrushit dhe Eduard Craythorne-s, kjo bazuar në dëshmitë e dy të pandehurve dhe përgjimeve telefonike, të cilat ishin kryer me lejen e prokurorisë, si edhe gjetjes dhe ekzaminimit të trupit të pajetë të viktimës në pusin e një banese të braktisur në malin e Shëngjinit. Dyshohet se Vukaj ka qenë personi që është përdorur për të çuar anglezin në drejtim të një vendi të izoluar, si dhe ka qenë ai personi që e ka goditur Eduardin me një levë hekuri. Djemtë i vodhën viktimës 28 mijë lekë, kartën e kreditit me të cilën kishin tërhequr 500 paundë, telefonin dhe varësen e floririt. Vendimi i trupit gjykues do të jepet më 10 nëntor.