E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet korrieri i heroinës

I arrestuar në flagrancë me 4 kg heroinë, kyç gojën dhe kërkon avokatin

GJIROKASTËR - Ka zgjedhur sediljet e makinës për të fshehur tetë pakot e drogës, por nuk ia ka dalë dot t’i kalojë ato matanë kufirit për në Greqi. 26-vjeçari ka provuar ftohtësinë e prangave të policisë, e cila e ndaloi pikërisht teksa po përpiqej të kalonte në mënyrë të shkujdesur pikën kufitare të Kakavijës. Blenard Grembi, taksist, u vu në pranga nga operacioni me të njëjtin emër, “Taksisti”, gjatë të cilit u sekuestruan 4 kilogramë lëndë narkotike e llojit heroinë, të fshehura në automjetin tip “Mercedes Benz” me targë FR 6541 C. Ndërkohë, sipas një burimi të besueshëm policor, bëhet e ditur se nga hetimet paraprake rezulton që i riu kishte vetëm rolin e korrierit të sasisë së narkotikut, ndërkohë që të tjerë persona, tashmë në hetim, mbajnë rolet e organizatorëve të këtij rrjeti ndërkombëtar heroine. I kapur me “presh në dorë”, Grembi menjëherë pas arrestimit ka kyçur gojën, duke mos pranuar të thotë asgjë për hetuesit. Ndoshta i parapërgatitur për një situatë të tillë, ai menjëherë ka kërkuar praninë e avokatit të tij mbrojtës.

Arrestimi 

Rreth orës 09:15 të mbrëmjes së të mërkurës, taksisti  Grembi po udhëtonte i vetëm drejt Greqisë. Kjo nuk ishte hera e parë për të që bënte itinerarin Kakavijë-Greqi. Sipas të njëjtit burim, mësohet se ai kishte udhëtuar edhe herët të tjera. Por hetimet që kishin nisur muajt e fundit ndaj tij, kanë bërë që të mundësohej edhe arrestimit. Në dukje si një kontroll rutinë që bëhet zakonisht në pikat kufitare, operacioni ka nisur me kontrollin e automjetit. Por edhe në këto momente taksisti nga Fieri ka vazhduar të qëndrojë i qetë në pamje të parë, duke mos vënë në dukje aspak shqetësimin. E për disa minuta kështu ka vazhduar situata, derisa nga pjesa e brendshme e sediljeve kanë filluar të dalin një e nga një tetë pako të mbështjella me kujdes, të cilat në total kapnin peshën 4 kg e 145 gramëve.

Hetimet 

Pas informacioneve të marra, agjentë të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit kishin nisur punën për hetimet ndaj Blenard Grembit. Prej disa muajsh mësohet se ai është mbajtur nën përgjim dhe vëzhgim. Pas vënies së tij në pranga u sekuestrua sasia e lëndës narkotike, automjeti, si dhe shuma prej 500 eurosh dhe 8.000 lekësh të reja. Ndaj tij rëndon akuza e “trafikimit të lëndëve narkotike”.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›