Subvencione pa destinacion
Duke qenë se po afron miratimi i projektbuxhetit për vitin 2009, si dhe analizimi i zhvillimit të buxhetit për vitin aktual, është mirë të ndalemi dhe të kthejmë kokën prapa, duke evidentuar përsëri një nga skandalet e tjera që lidhen me administratën shtetërore. Më konkretisht, të përqendrohemi tek subvencionet e ndryshme me paratë e buxhetit, subvencione këto që nuk paraqiten me rritje nga viti në vit, sikurse premton qeveria, madje nuk dihet as se ku kanë përfunduar paratë e dhëna në formën e “ndihmës”. Kështu, sipas kriterit të pikës 22 të udhëzimit të ministrit të Financave, nr. 6, datë 10.07.2006, “Për përgatitjen e programit buxhetor afatmesëm 2007-2009 dhe buxhetit të shtetit 2009”, ministritë dhe institucionet që përfitojnë nga politika e subvencionit do të dërgojnë pasqyrën numër 6 në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit të Ministrisë së Financave, vetëm nëse kjo shoqërohet me një kopje të vendimit të miratimit nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore. Por në fakt, edhe sot e kësaj dite, në Drejtorinë e Analizave, Politikave e Programeve Buxhetore Afatmesme nuk ekziston asnjë lloj dokumentacioni që të vërtetojë zbatimin e këtij kriteri. Kështu, nuk dihet ende se për çfarë janë përdorur paratë e dhëna në formë ndihme nga buxheti për institucionet shtetërore, fonde këto që do t’u delegoheshin të tretëve.
Subvencioni për energjinë elektrikeLidhur me subvencionin e importit të energjisë elektrike, ndonëse për vitin 2007 KESH-i nuk ka planifikuar dhe nuk ka tërhequr subvencion për importin e energjisë, pasi ka marrë transferime dhe hua, problem mbetet subvencioni i marrë tepër prej disa vitesh. Kjo vlerë përllogaritet në afro 2.3 miliardë lekë. Në fakt, duhet përmendur se edhe Kontrolli i Lartë i Shëtit i ka kërkuar prej vitesh Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministrisë së Financave për të sistemuar këtë detyrim, me qëllim kthimin e tij në buxhetin e shtetit.
Premtimet për rritje subvencionimiNdonëse vit pas viti premtohet rritje subvencionimesh ose mbështetjesh të karakterit financiar, shpenzimet për subvencione janë ulur në masën 8 për qind, ose afro 293 milionë lekë më pak krahasuar me një vit më parë. Kundrejt Prodhimit të Brendshëm Bruto të rezultuar në vitin 2007, shpenzimet për subvencione zënë 0.36 për qind, nga 0.42 që zinin krahasuar me një vit më parë. Për vitin e kaluar, shpenzimet për subvencionet janë realizuar në masën 99 për qind të planit. Kështu, nga 3.57 miliardë lekë të planifikuara, janë shpenzuar vetëm 3.5 miliardë lekë, duke lënë kështu pa dhënë vetëm afro 36 milionë lekë.
PërfituesitLidhur me fondin prej 3.5 miliardë lekësh të dhëna në formën e subvencionit nga buxheti i shtetit, institucioni më i madh përfitues, ashtu sikurse çdo vit, ka qenë Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, pasi ka tërhequr plot 60 për qind të fondit total të vënë në dispozicion. E dyta në top-listën e përfituesve është renditur Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, e ndjekur kjo nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila zë vetëm 14 për qind të fondit për subvencione.