E Diel, 1 Nëntor 2026

Burg të rinjve, grabitën fuoristradën,pasi kishin vjedhur më parë çelësat

TIRANE – Kishin vjedhur një xhup pasi kishin ftohtë, pa e ditur se në të gjendeshin çelësat e një thesari.

Ngjarja si nëpër rrëfenja u tregua dje në Gjykatën e Tiranës nga dy të rinjtë, Nertil Fero dhe Arjan Palla, të arrestuar për vjedhjen e një fuoristrade “Land Rover” pranë qendrës së kryeqytetit. Sipas organit të akuzës, dy të pandehurit kishin vjedhur automjetin e shtrenjtë dhe kishin tentuar ta shisnin atë në një shumë të vogël rreth 3 mijë euro, por ndërhyrja në kohë e policisë e ka shpëtuar mjetin ndoshta nga çmontimi dhe shitja me pjesë. Dy të arrestuarit para gjyqtares së çështjes, pohuan se kishin hyrë te lokal “Tajvani” dhe kishin vjedhur një xhup që e kishin gjetur në një karrige. Pasi kanë dalë jashtë kanë kontrolluar nëpër xhepa, ku kanë gjetur një palë çelësa automjeti. Kurioziteti i kishte shtyrë të provonin pultin para gjithë mjeteve, derisa kishin gjetur makinën, të cilës i përkisnin çelësat. Pas kësaj, pa e bërë të gjatë dy të rinjtë korçarë kanë nisur mjetin duke dalë jashtë qytetit. Denoncimi i bërë nga biznesmeni për vjedhjen e xhupit dhe automjetit vuri në lëvizje policinë, e cila i prangosi dy të rinjtë. Para gjyqtares së gatshme ata pohuan se xhupin  kishin vjedhur për ta veshur ngaqë ishte ftohtë, ndërsa pultin e automjetit e kishin provuar nga kurioziteti. Pas kësaj, sipas tyre, mjetin e kishin nisur për të bërë xhiro dhe për më tepër, sipas tyre, nuk dinin as t’i jepnin, madje nuk dinin as të bënin tregti, pasi kishin rënë dakord ta shisnin shumë pak. Përfaqësuesi i Prokurorisë, i cili kishte drejtuar hetimet paraprake kundërshtoi rrëfimin e të arrestuarve, duke pretenduar se qëllimi i vjedhjes së xhupit ku ndodheshin çelësat e fuoristradës ishte vjedhja më pas e makinës. Sipas tij, dy të akuzuarit pasi kanë shtënë në dorë çelësat, kanë vjedhur mjetin dhe e kanë larguar atë me të shpejtë nga vendngjarja. Më tej, sipas prokurorit, ata kanë bërë tregti me mjetin e vjedhur. Sipas përfaqësuesit të akuzës, ata duhet të qëndrojnë në qeli deri në fund të hetimeve, pasi ekzistojnë prova në ngarkim të tyre të kenë konsumuar veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim të mjeteve motorike. Vetë të akuzuarit dhe mbrojtësi i tyre kërkuan një masë më të lehtë, ndërsa gjykata vendosi “arrest në burg”.                  fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›