E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pretenca: 19 vjet burg e gjobë të akuzuarve

TIRANE - Një javë më parë, Prokuroria kërkoi dënimin me 19 vjet

burg për të akuzuarit e operacionit “Duar të pastra”, me akuzat e “korrupsionit”, “shpërdorimit të detyrës”, “ndikimit të paligjshëm” dhe “shkeljeve në tenderë”, që sipas organit procedues kanë të bëjnë me paracaktimin e firmave fituese të ndërtimit të rrugës Has - Qafë Prush. Për ish-zëvendësministrin e Transporteve, Nikolin Jaka, u kërkuan 3 vjet burg, 2 milionë lekë gjobë dhe heqjen e të drejtës për pesë vjet për të pasur poste shtetërore; për ish-kreun e Rrugëve, Ilir Berzani, u kërkuan 6 vjet burg dhe 4 milionë lekë gjobë; për të akuzuarin Arjan Sheti u kërkuan 2 vjet burg dhe 600 mijë lekë gjobë; për Xhevahir Muçogllavën, 2 vjet burg; për Bashkim Kamberin, 21 muaj burg; për Skënder Bokçiun, 2 vjet burg dhe 1 milion gjobë dhe Isuf Ukperajn, 2 vjet dhe 1 milion gjobë. Prokuroria pohoi se kërkoi dënime të tilla, duke pasur parasysh faktin e aplikimit të gjykimit të shkurtuar në këtë proces. Pas një jave pritet që avokatët dhe vetë të pandehurit të paraqesin konkluzionet e mbrojtjes dhe pas kësaj gjykata të shpallë vendimin.                         f.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›