"Burg" të riut, i vdiqën dy kushërinj në aksident
TIRANE -Gjykata e Tiranës i komunikoi në spital masën e sigurisë "burg pa afat" të riut Besmir Kullolli, të akuzuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasoja të rënda. Sipas Prokurorisë, Kulloli i cili drejtonte mjetin tip "Benz" me targa të huaja dhe në të ndodhej së bashku me dy kushërinjtë e tij, teksa ecte në autostradën Tiranë-Durrës, është përplasur fillimisht me trafik-ndarësin dhe më pas ka përfunduar në kanalin anësor të rrugës, pranë fshatit Yrshek. Si pasojë e aksidentit të rëndë gjetën vdekjen dy kushërinjtë e tij Gentian dhe Edmond Kullolli, ndërsa edhe vetë drejtuesi i mjetit u plagos rëndë. Aktualisht ai ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, pasi ende nuk ka dalë nga rreziku për jetën, ndërsa sipas kërkesës së Prokurorisë, gjyqtarja e gatshme shkoi dje në spital ku i komunikoi masën e sigurisë "burg pa afat". Momentalisht ai ruhet nga policët e komisariatit numër tre të kryeqytetit, teksa kurohet në Spitalin Ushtarak. fa.ma.