E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgaj: Masa për policët që nuk respektojnë të shoqëruarit

Takimi Ambasadori i OSBE-së, Bosch, dhuron 450 tabela me të drejtat e qytetarëve

Ankesat e shumta për policinë për procedurat e shoqërimit dhe të ndalimit kanë bërë që kjo e fundit të vendosë në vende të dukshme broshura për të drejtat e personave të shoqëruar. Një propozim i policisë, por i financuar nga OSBE, do t'u japë mundësi të arrestuarve dhe të ndaluarve të njihen më shumë me të drejtat e tyre. Në çdo komisariat të policisë do të vendosen broshura në çdo cep të qelisë, ku janë të renditura se cilat janë të drejtat e të shoqëruarve në polici. Për këtë nismë të financuar nga OSBE-ja, në Komisariatin Nr.1 të Tiranës ka qenë ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si dhe drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj. Kreu i uniformave blu, Hysni Burgaj, u shpreh se policia duhet të respektojë të drejtat e personave të shoqëruar dhe arrestuar dhe se për çdo polic, i cili nuk i respekton, do të merren masa. Këto fletëpalosje u janë shpërndarë të gjitha komisariateve dhe janë në gjuhët kryesore: shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, pasi do t'u shërbejnë edhe të arrestuarve apo të ndaluarve të huaj që ndodhen në vendin tonë. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri u dhuroi strukturave të policisë afro 450 tabela të tilla. Këto tabela u vendosën në të gjitha drejtoritë e qarqeve dhe komisariatet e policisë, po ashtu edhe në pikat e kalimit kufitar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›