Fier, arrestohet autori i vrasjes për pronën
Kapet vrasësi i 70-vjeçarit, Ferit Hoxhaj, nga fshati Kuqar i Rrethit të Fierit. Ai është Veli Nuhaj, fqinj dhe mik familjeje me viktimën. Policia e kishte skeduar si person të dyshuar, ndërkohë që gjithçka është vërtetuar pas përdorimit të metodave speciale të hetimit, si dhe sigurimit të provave të pakundërshtueshme. Deri mesditën e së shtunës, në mjediset e Komisariatit të Policisë së Fierit janë marrë në pyetje mbi 50 persona, përfshi këtu edhe familjarë e të afërt të viktimës. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur për gazetën "Shqip" se autor i vrasjes së Ferit Hoxhaj është bashkëmoshatari i tij, Veli Nuhaj. Këtë të fundit policia e ka shoqëruar në mjediset e komisariatit mbrëmjen e së premtes, disa orë pas gjetjes së trupit të viktimës në një kanal, në afërsi të tokave të fshatit Kuqar, konkretisht pranë vendit të quajtur "Përroi i Aliut". Mësohet se Nuhaj është pronar i një sipërfaqeje të madhe me ullishta, si dhe një stani me bagëti. Sipas policisë, ajo që çoi grupin hetimor drejt Veli Nuhajt ka qenë mungesa e tij në banesë gjatë natës së zhdukjes së Ferit Hoxhës. "Është mësuar se Veli Nuhaj ka qenë duke çuar bagëtitë në kullotë dhe gjatë gjithë ditës së enjte dhe mbrëmjes së saj nuk është kthyer në banesë. Grupi i hetimit e ka marrë atë në pyetje, me qëllim deklarimin e vendndodhjes së tij, ndërkohë që gjatë veprimeve të para hetimore dhe vënies në eficiencë të metodave të hetimit special u siguruan prova materiale dhe procedurale, nga të cilat rezultoi se autori i dyshuar i vrasjes së Ferit Hoxhës është shtetasi Veli Nuhaj", është shprehur për "Shqip" zëdhënësja e Policisë së Qarkut të Fierit, Valbona Meço. Ndërkohë mësohet se në banesën e Veli Nuhajt, pas arrestimit, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale mbi 14 thika të madhësive të ndryshme, si dhe dy sëpata. Të gjitha armët e ftohta që iu gjetën në banesë 70-vjeçarit Veli Nuhaj janë dërguar drejt Institutit të Kriminalistikës në Tiranë, nga ku do dalë se cila nga thikat dhe sëpatat është përdorur për vrasjen e Ferit Hoxhës. Sigurimi i këtij arsenali me thika e sëpata nga policia ka faktuar edhe plagët e gjetura në trupin e viktimës. Prokuror i ngjarjes ka qenë vetë kryeprokurori i Fierit, Altin Binaj, i cili rreth orës 13:00 të së shtunës ka marrë vetë në pyetje autorin, Veli Nuhaj. Mësohet se autori nuk ka pranuar asgjë nga krimi i kryer, por është justifikuar duke thënë se ka përkuar vendndodhja e kullotës së tij me vendin ku është gjetur i vdekur 70-vjeçari Ferit Hoxhaj. Po ashtu i moshuari ka pranuar se ka pasur konflikt pronësie me viktimën, por nuk e ka vrarë fqinjin dhe mikun e tij. Burime nga grupi i hetimit tregojnë për gazetën se, me gjithë përballjen e autorit me akuzën, po hetohet ende për ndonjë nxitje të tij nga ndonjë person i tretë, i cili dyshohet se është i afërt i viktimës. Pronat me ullishta të autorit dhe viktimës janë fqinje dhe për to pretendojnë edhe të afërt të viktimës edhe ata të autorit.