Burgaj: Në vitin 2009 ndodhën 326 krime më pak se në 2008-n
Fjalimi
Sipas analizës u regjistruan 13100 vepra penale, por zbulueshmëria është më e vogël
Lufta kundër krimit është objektivi kryesor i aktivitetit të Policisë së Shtetit. Kështu ka deklaruar kreu i policisë, Hysni Burgaj në analizën e djeshme të policisë, duke i analizuar krimet sipas formave kryesore të shfaqjes së tij. Fillimisht, ai ka përmendur rezultatet e arritura kundër kriminalitetit në përgjithësi për vitin 2009 e masat që janë marrë për parandalimin e goditjen e tij. Sipas statistikave të policisë, gjatë vitit 2009 kanë ndodhur 13100 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar autorët për 9865 prej tyre, ose 75%. Departamenti për Hetimin e Krimit ka menaxhuar strukturat e luftës kundër krimit, duke krijuar kushte për rritjen e eficiencës në punë, duke zgjidhur problemet e dinamikës si dhe orientimit të strukturave vendore, nëpërmjet akteve të dërguara, monitorimeve, inspektimeve e analizave drejt një force proaktive me eficiencë të lartë, ka asistuar e kryer, nëpërmjet personelit të saj, operacione të suksesshme goditëse, rrjedhojë e së cilës është eliminimi i grupeve kriminale. Objektivat e vendosura në fillim të vitit, për parandalimin e kriminalitetit dhe uljen e krimit të vrasjes, krahasuar me një vit me parë, Policia e Shtetit i ka realizuar duke bërë të mundur uljen e kriminalitetit me 326 vepra penale ose rreth 4%, si dhe uljen e krimit të vrasjes me rreth 11%. është për t’u theksuar se Shqipëria shënon për herë të parë mbas viteve 1997 numrin më të ulët të vrasjeve në të gjithë vendin. Realizimi i objektivave është parë i lidhur ngushtë me goditjen e grupeve kriminale. Kështu, gjatë këtij viti, janë goditur 142 grupe kriminale, nga të cilat 64 për krime të rënda kundër personit e pronës, 31 për luftën kundër narkotikëve, 23 për trafiqe të paligjshme dhe 24 për vepra penale në fushën e krimeve ekonomike. Një shqetësim i veçantë për policinë në këtë vit kanë qenë vjedhjet e pronës, të cilat vazhdojnë të jenë problematike për zona të caktuara të vendit, sidomos vjedhjet e banesave, vjedhjet e lokaleve e të makinave. “Kemi parashikuar për vitin 2010, një ndryshim të strategjisë së luftës kundër krimit të pronës, me qëllim rritjen e rezultateve në këtë drejtim. Ndryshimi i strategjisë do të përfshijë parashikimin e gjithë opsioneve të mundshme për përmirësimin e menaxhimit të drejtimit të punës kundër krimeve ndaj pronës”, deklaroi Burgaj. Duke paraqitur punën e kryer në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër krimeve të pastrimit të parave, të korrupsionit, të falsifikimit të monedhave etj., në këtë material raportues, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka analizuar treguesit kryesorë të këtyre veprimtarive, duke dhënë një tablo të shkurtër të progresit të kryer.
#