Policia serbe shpërfill urdhrat e qeverisë
Qeveria e Serbisë ka urdhëruar Ministrinë e Punëve të Brendshme që me forcë të pengojë grevistët që të bllokojnë hekurudhat, autostradat dhe “objektet vitale”, por që të dyja sindikatat policore kanë refuzuar dëgjueshmërinë, njoftojnë mediat e Beogradit. Policia ka refuzuar të zbatojë urdhrat e qeverisë së Serbisë. Një ditë pasi qeveria, përmes një mbledhjeje telefonike (të shtunën në mbrëmje) i kishte dhënë urdhër Ministrisë së Punëve të Brendshme që me të gjitha mjetet, madje edhe me forcë, të pengojë grevistët në gjithë territorin e Serbisë të bllokojnë hekurudhat dhe udhët, që të dyja sindikatat policore (Sindikata Policore e Serbisë dhe Sindikata e Pavarur e Policisë) dje kanë refuzuar ta respektojnë këtë vendim dhe se “nuk duan të rrahin punëtorët e uritur”. Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë dhe nënkryetari i qeverisë serbe, Ivicia Daçiç, sipas mediave të Beogradit, ka paralajmëruar negociata me policët dhe është shprehur se MPB-ja do të përdorë forcën vetëm në rast të nevojës së fundit. Në Serbi ka ditë që punëtorë, pensionistë e ish-pjesëtarë të luftërave të përgjakshme në hapësirat e ish-Jugosllavisë, të pakënaqur me trajtimin e tyre, bllokojnë hekurudha, autostrada e objekte të administratës publike, duke kërkuar përmirësim të gjendjes së tyre.
#