E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgaj: "Paratë e pista", jemi gati për hetimin

Kreu i Policisë, tha dje në takimi me prokurorin e Leçes se është ngritur struktura e hetimit të parave të krimit të organizuar

TIRANE- Policia Shqiptare është e gatshme të hetojë pronat dhe pasuritë e personave të përfshirë në veprimtarinë e krimit të organizuar. Kështu deklaroi dje Drejtori i Përgjitshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj gjatë një takimi me Dr. Kataldo Mota (Cataldo Motta), Prokuror i Republikës në Leçe të Italisë. Sipas Burgajt, Policia shqiptare tashmë ka ngritur në të gjithë qarqet strukturat e hetimit që merren me pastrimin e parave të pista.


Një fakt të tillë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, e pohoi, në kuadër të ligjit Antimafia të miratuar nga Parlamenti Shqiptar që lejon hetimin e pasurive të vëna në rrugë të dyshimte dhe të personave të akuzuar për vepra penale në kuadër të krimit të organizuar.


"Është një hap pozitiv për Shqipërinë miratimi i këtij ligji dhe ne kemi krijuar një sektor për këtë dhe po e shtrijmë këtë strukturë dhe në qarqe. Kjo do të parandalojë trafikantët në krijimin e pasurive me para të "pista" dhe ndihma juaj në këtë drejtim do të ishte me vlerë,- tha Burgaj.


Kryeprokurori italian i Leçes, duke iu referuar ligjit antimafia tha: Aspekti më i rëndësishëm i këtij ligji është goditja e pasurive mafioze, sepse kufiri i ri i kontrastit të këtyre formave të reja të kriminalitetit është që të godasësh organizatën kriminale tek burimet e tyre pasurore, kjo është më e rëndësishme se privimi i lirisë personale.


Në lidhje me operacionet e fundit të përbashkëta mes policisë e prokurorisë shqiptare, me homologët italianë, Prokurori i Leçes tha se aktualisht është ende edhe një letër porosi për tu ekzekutuar mes dy vendeve në interes të çështjes.


Ndërkaq, kryepolici shqiptar i pohoi Prokurorit të Leçes se pas operacioneve të fundit të përbashkëta mes autoriteteve shqiptare të hetimit mes të cilëve dhe Policia dhe atyre italiane, ishte e nevojshme që hetimi të shtrihej dhe të thellohej edhe më tej.


Pas takimit me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Burgaj, delegacioni i Prokurorisë dhe i Policisë së Leçes, që drejtohej nga kryeprokurori Mota, vijuan takimet me Ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit të përbashkët mes organeve të drejtësisë së dy vendeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›