E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmitarët: Sallaku u qëllua nga një BMË

"Banda e Durrësit"

Në seancën e djeshme, dëshmitarët rrëfyen detaje për vrasjen e Dritan Sallakut, por sipas tyre autorët ishin me paruke

TIRANË- Seanca në ngarkim të 16 të pandehurve të "Bandës së Durrësit", vazhdoi dje me pyetjen e pesë dëshmitarëve të parë të organit të akuzës. Gjatë seancës, dëshmitarët e akuzës treguan për vrasjen e Dritan Sallakut, pasditen e 17 tetorit të vitit 1998 në qytetin e Durrësit. Mes pesë dëshmitarëve të djeshëm, në gjykatë dëshmuan edhe dy të plagosurit e ngjarjes, ku u vra Sallaku, Agim Rexhepagaj dhe Ilir Nelaj. Asnjë nga dy të plagosurit nuk drejtoi gishtin ndaj të pandehurit për "atentatin" ku mbeti i vrarë shoku i tyre, por shtuan se atentatorët ishin katër persona të veshur me paruke dhe me një makinë të tipit "BMË".


Gjatë dëshmisë së tij, Rexhepagaj konfirmoi para gjykatës se kishte parë një veturë, "BMË" me ngjyrë të errët që afrohej tek vendi ku ishte ai, Erald Bajrami, Ilir Nelaj dhe Dritan Sallaku. "Ishim në kafe dhe në momentin që erdhi Dritan Sallaku u ngritëm për ta takuar, unë dhe Ilir Nelaj për t'i dhënë një palë këpucë.


Sapo u afruan te mjeti i Dritan Sallakut, një "Benz 250" i zi, është afruar një makinë e tipit BMË, me 4 persona me paruke në kokë. Sapo u afrua makina nga xhami i pasëm dhe ai në krahë të shoferit është qëlluar në drejtim tonë me breshëri".Sipas Rexhepagës, u plagos ai , Ilir Nelaj dhe u vra Dritan Sallaku. Nuk e di kush na qëlloi pasi unë personalisht nuk kisha konflikte me ndonjë person,-tha Rexhepagaj. Më pas, u pyet dëshmitari Ilir Nelaj, i cili ditën e vrasjes së Dritan Sallakut kishte marrë shtatë plumba në trup.


Njëri nga shtatë plumbat i kishte dëmtuar shtyllën kurrizore duke i sjellë dëmtime të nervit të këmbës ndërsa plumbat e tjerë kishin qenë tejshpues. Ai, tha se nuk e dinte se kush i kishte qëlluar, por përshkroi personat që shtinë në drejtim të tyre, në të njëjtën mënyrë si dëshmitari Rexhepagaj. "Isha duke i futur në bagazhin e makinës së Dritan Sallakut një palë këpucë që kisha në qese, kur u afrua një BMË me katër persona brenda të armatosur, pasi dukeshin tytat e armëve.


Sapo u afruan qëlluan drejt nesh dhe mbi mua ra, Dritan Sallaku dhe unë mora shtatë plumba dhe humba ndjenjat. Nuk e di kush qëlloi, por di që Dritan Sallaku dhe i vëllai i tij kishin shoqëri me Denis Ginën"-tha Nelaj. Në vazhdim dëshmoi Erald Bajrami, që përveç faktit të ngjarjes, tregoi për dërgimin e të dëmtuarve në Spital.


Bajramaj kohë më parë ka qenë i akuzuar për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e një personi, por, është deklaruar i pafajshëm nga Gjykata e Durrësit. Seanca vazhdoi me dëshminë e Pal e Viktor Gjoka të cilët i treguan gjykatës se makinën tip "BMË" tre persona e kishin lënë pranë derës së banesës së tyre, por nuk kishin arritur t'i identifikonin se kush ishin. Të vetmen gjë që sipas tyre kanë dëgjuar, janë fjalët "shpejt se po na shikon ndonjë person". Të nesërmen sipas çiftit kishin lajmëruar policinë e cila tërhoqi mjetin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›