Berisha: Kredi 3.2 miliardë euro
Në kulmin e debateve për shkurtimet në buxhet, për të ulur nivelin e borxhit publik, qeveria miratoi një sërë marrëveshjesh me banka të ndryshme për financimin e rreth 3.2 miliardë eurove, të cilat do të shpenzohen për realizimin e disa projekteve në infrastrukturë dhe energjetikë. Në mbledhjen e fundit të qeverisë, Kryeministri ka miratuar një sërë marrëveshjesh huamarrjeje midis shtetit shqiptar dhe bankave të ndryshme. Bankat që do mbështesin Shqipërinë me kredi janë Banka Gjermane e Zhvillimit, Banka Europiane e Investimeve, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Korporata Financiare Ndërkombëtare dhe banka nga vendet e OPEK-ut. Ato do të jenë kredituese të projekteve shumë të rëndësishme të vendit, si rruga Tiranë-Elbasan, rrugët rurale, apo boshti i jugu.
“Kreditoj, do të thotë para se gjithash, besoj. Në qoftë se diku ka krizë besimi, ekziston besim i plotë ndaj ekonomisë dhe qeverisë shqiptare. Një faktor shtesë madhor ishte mesazhi që dërguam me ristrukturimin e buxhetit”, tha Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë. “Miqtë dhe partnerët tanë financiarë e kanë pritur në mënyrë të shkëlqyer, si dëshmi e seriozitetit të kësaj qeverie, tha Berisha, duke paralajmëruar edhe rritjen e shumave të marra hua nëse qeveria do ta ketë të nevojshme. “Këto kredi kapin vlerën 3.2 miliardë euro, por unë ju garantoj se në çdo rast dhe në çdo nevojë ato mund të njohin pa asnjë vështirësi rritje të mëtejshme, në përputhje me objektivat e kësaj qeverie, tha Berisha.