Prokuroria me "duar të pastra"
Ndërkohë që qeveria vazhdon sloganin "luftë klaneve mafioze", organi i prokurorisë u përgjigjet thirrjeve, duke mbyllur një sërë çështjesh penale që kanë të akuzuar dhe të pandehur persona afër pushtetit qendror. Dosja e fundit që i shpëtoi ndjekjes penale ishte privatizimi i kompanisë së gjigandit telefonik shqiptar "Albtelekom", që filloi gjatë qeverisë "Nano" për të përfunduar në mandatin e parë të qeverisë "Berisha". Megjithatë për njerëzit e ligjit nuk është e vetmja dosje. Vetëm pak ditë më parë e njëjta prokurori, ajo e Tiranës, pushoi hetimet për ish-ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, i denoncuar publikisht nga emisioni investigativ "Fiks Fare". Prokuroria do të mjaftohej me fjalët se "Pango nuk kreu vepër penale", megjithëse nga regjistrimet dukej qartë se ai "rekrutoi" një vajzë të re, e cila kishte shkuar në ministri për të kërkuar punë, në shtëpinë e tij private, duke i kërkuar favore seksuale në këmbim të vendit të punës. Por kjo dosje nuk është e vetmja për prokurorinë më të madhe të kryeqytetit. Disa muaj më parë, njësia Task-Forcë pushoi hetimet për biznesmenin Damir Fazliç, edhe ky i denoncuar publikisht si person me lidhje miqësore me familjen e Kryeministrit, i cili dyshohej se merrej me pastrim parash në vendin tonë. Arsyeja e pushimit të hetimeve në këtë rast ishte mosardhja e letër-porosive nga disa vende të Europës ku po kërkoheshin të dhëna për pastrim parash. Absurdi qëndron se të njëjtët hetues që pushuan çështjen kishin kërkuar disa muaj më parë ndalimin e shtetasit serbo-boshnjak në aeroportin e Rinasit, gjatë një vizite private të tij në Shqipëri. Në këtë rast, organi qendror i akuzës nuk ndërmori asnjë valë ndëshkimesh. Por një nga dështimet e parashikuara të prokurorisë ishte edhe hetimi për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Megjithëse çështja u kryesua nga dy prokurorë të përgjithshëm, ajo u pushua nga Gjykata e Lartë, me argumentimin se akuza qendrore kishte gabuar në procedura. Në momentin e fundit prokuroria dërgoi çështjen për gjykim dhe për këtë rast pati debate të shumta. Duket se slogani "me duar të pastra" po zbatohet nga prokuroria ndaj zyrtarëve të akuzuar dhe jo nga zyrtarët për të denoncuar rastet e korrupsionit.