E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet nga Italia i akuzuari për shfrytëzim prostitucioni



TIRANË - Një shtetas shqiptar është ekstraduar nga Italia pasi kërkohej nga Policia shqiptare për shfrytëzim prostitucioni. Sipas burimeve policore, shtetasi Besnik Bungajaj, 33 vjeç, lindur në Pukë, është ekstraduar dje nga Roma e Italisë. 33-vjeçari Besnik Bungaja akuzohej se në bashkëpunim me shtetasit Kujtim Buçpapaj dhe Sabit Kaja, kanë shfrytëzuar si prostitutë në Shqipëri dhe në Itali, shtetasen E. D. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 10 janar të vitit 2007, ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për 33-vjeçarin për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, më datë 17.09.2008 u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Besnik Bungajaj.

Moti i keq me borë dhe ngrica ka sjellë probleme në akset rrugore
Reshjet e borës dhe rënia e temperaturave ditët e fundit ka shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor dhe bllokimin e disa fshatrave malore në veri dhe në lindje të vendit. Në zonën e Korçës është vështirësuar qarkullimi në aksin rrugor Korçë-Dardhë për arsye të reshjeve të borës që kanë rënë dhe ngricave të shumta të krijuar në rrugë. Mjetet nuk mund të qarkullojnë dot pa zinxhirë për shkak të rrëshqitjes së madhe në rrugë. Në qarkun e Dibrës problematike mbeten disa komuna, nëpër rrugët rurale ku qarkullimi vështirësohet si shkak i rrugëve të vjetra, ku ngricat dhe reshjet e borës mbushin gropat e shumta duke e bërë të pamundur lëvizjen e mjeteve. Për rrjedhojë, komuna e Lurës, Kalaja e Dodës, komuna Selishtë dhe fshati Ternovë gjenden të bllokuara si shkak i borës që ka shkuar sot në 30 cm, ndërsa në Ternovë mbi 70 cm. Qarkullimi është në vështirësi në aksin Pukë- Fushë Arrëz, në Dishezën e Plepit, por edhe në Qafën e Malit. Më problematike është Qafa e Malit ku qarkullimi paraqitet për mjetet e tonazhit të lartë, të cilët e kanë të pamundur lëvizjen kryesisht gjatë orëve të mbrëmjes dhe mëngjesit. Në Mirditë, situata problematike është në fshatrat e thella të komunave të Fanit, Rrosh dhe Kacinar, ku trashësia e borës arrin në 25-30 cm. Mësohet se nuk ka bllokim të rrugëve nacionale të cilat mirëmbahen duke hedhur vazhdimisht skorie e kripë. Rrëshen- Fierzë, pikërisht në zonën e Fanit, ku shtresa akulli përbëjnë rrezik për lëvizjen e automjeteve. Ndërsa në Kukës, vazhdon të jetë e bllokuar komuna Arrën, por probleme ka dhe në komuna të tjera të thella si Zapod, Grykë Caj, në aksin Kukës- Shishtavec, i cili është i kalueshëm por me zinxhirë

Parashikimi motit për ditën e martë

Zonat malore të vendit do të dominohen nga vranësira dhe reshje dëbore, ndërsa bregdeti dhe zona e ulët do të mbeten me vranësira dhe shira të dobët dhe të përkohshëm. Pasditja do të vijojë me të njëjtat kushte atmosferike duke bërë që reshjet e shiut dhe të dëborës të na shoqërojnë edhe gjatë natës, deri mëngjesin tjetër, por në sasi më të pakta. Temperaturat e mëngjesit do të rriten me 3 gradë në të gjithë vendin, ndërsa 1 – 2 gradë rritje do të sjellë mesdita në qendër dhe jug. Era do të fryjë me shpejtësi 50 km/h dhe drejtim permanent jugor duke bërë që deti të mbetet me dallgëzim deri 6 ballë.

Prishet objekti mbi truallin e 7501-shit, ndalohen pronarët

VLORË - Inspektorati Ndërtimor i Vlorës, i mbështetur edhe nga forcat e rendit, ka shkatërruar një ndërtim pa leje në një nga zonat e parapëlqyera për ndërtime në qytetin bregdetar. Pronarët e lokalit e rindërtuan atë pasi pak kohë më parë u shkatërrua një tjetër godinë, më e madhe. Sërish ka ndërhyrë Inspektorati Ndërtimor, por policët janë përplasur me pronarët e lokalit, të cilët pas kundërshtimit me forcë janë shoqëruar në mjediset e komisariatit. Toka ku është ndërtuar lokali ishte përfituar në bazë të Ligjit Nr. 7501, por gjatë kësaj kohe kjo sipërfaqe toke ka kaluar në pronësinë e pronarëve të vjetër. Këta të fundit kanë nisur ndërtime rreth zonës ku ndodhet lokali. Pas shkatërrimit të ndërtimit pa leje, e gjithë zona parashikohet që të bëhet pjesë e një kompleksi ndërtimesh, të cilit i ka hapur rrugë policia dhe Inspektorati.

15 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›