E Diel, 1 Nëntor 2026

“Piloti”, sekuestrohen 150 kg marijuanë, zhduket trafikanti



Eljona Lata

GJIROKASTËR – Policia e Gjirokastrës sekuestron edhe një tjetër sasi të madhe droge që vinte nga Lazarati, por transportuesi i saj ka arritur t’u shpëtojë nga duart agjentëve të antidrogës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se në orët e vona të ditës së diel organizuan operacionin e koduar me emrin “Piloti”, i cili përfundoi me bllokimin e një sasie droge prej 150 kilogramësh marijuanë. Sipas tyre, droga u gjet në një automjet tipit “Benz 240” dhe vinte nga Lazarati. Malli po transportohej drejt Sarandës, me destinacion përfundimtar Greqinë. Policia është vënë në ndjekje të mjetit, i cili, si pasojë e shpejtësisë së madhe, ka përfunduar i përplasur me bordurën e autostradës në kthesën e fshatit Derviçan. Kur kanë mbërritur forcat e policisë në vendngjarje kanë gjetur sasinë e lëndës narkotike brenda në mjetin e përplasur, ndërsa drejtuesi ka përfituar nga errësira dhe u ka shpëtuar forcave të policisë.
Operacioni
Duke përfituar nga errësira, fakti se ishte ditë pushimi, një shtetas ka ngarkuar në benzin e vjedhur në Sarandë disa ditë më parë një sasi droge që e kishte marrë në Lazarat dhe ka tentuar që ta çojë drejt shtetit fqinj. Por, policia ka marrë një informacion në rrugë operative dhe është vënë menjëherë në ndjekje të mjetit me targë TP 1221 B, në aksin rrugor Gjirokastër–Jorgucat. Por, trafikanti duket se ka marrë të dhëna se po ndiqet nga agjentët e antidrogës dhe i ka dhënë mjetit me shpejtësi të madhe. Kjo është bërë shkak që makina me ngarkesën e drogës të dalë nga rruga duke u përplasur me bordurën mbajtëse të autostradës, në kthesën e fshatit Dervician. Drejtuesi ka braktisur mjetin dhe është larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira. Grupi hetimor, kur mbërriti në vendngjarje dhe nga këqyrja e automjetit rezultoi se në automjetin tip “Benz” me targa TP 1221 B, në ndenjësen e pasagjerit dhe në ndenjësen e pasme kishte 55 pako me peshë 1 kilogram secila dhe një çantë të madhe shpine e mbushur me marijuanë, e cila peshonte 26 kilogramë. Kontrolli ka vijuar edhe në bagazhin e automjetit, ku janë konstatuar 45 pako me peshë 1 kilogram secila, si dhe një çantë shpine e madhe, e mbushur me marijuanë të papaketuar, me peshë 24 kilogramë. Zëdhënësi i Policisë, Gentian Mullai, thotë se “pesha e përgjithshme rezultoi se ishte 150 kilogramë lëndë narkotike”.
Hetimet
Menjëherë pas sekuestrimit të drogës, policia nisi hetimet për të identifikuar pronarin e mjetit ku u gjet marijuana. Sipas burimeve zyrtare, “benzi rezultoi i vjedhur gjatë natës së datës 12 dhjetor në Lagjen Nr. 4 në Sarandë. Mullai thotë se pikërisht të njëjtën ditë pronari i mjetit kishte bërë denoncimin në polici. Burimet policore shtojnë se pas veprimeve të para është identifikuar personi që po transportonte lëndën narkotike dhe është bërë shpallja e tij në kërkim. Emri i tij nuk bëhet i ditur për motive hetimore. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme, për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike.
Ky është operacioni i tretë në pak ditë i policisë së Gjirokastrës, ku në dy operacionet e tjera janë kapur rreth 600 kg cannabis sativa me prejardhje nga Lazarati dhe kishin destinacion fillimisht Sarandën dhe më pas Greqinë. Droga e kapur në operacionin e parë “Përtej kufirit” mendohet se do të kalonte në Greqi nëpërmjet kufirit tokësor. Edhe marijuana e kapur në kuadër të operacionit “Stuhia” kishte të njëjtin destinacion. E gjithë sasia e sekuestruar gjatë ditëve të fundit arrin 790 kilogramë lëndë narkotike, me origjinë fshatin e Lazaratit dhe me destinacion Greqinë.
Pak ditë më parë doli raporti i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për luftën kundër drogave, ku theksohej se Shqipëria është në listën e vendeve të para për prodhimin e Cannabis sativa. Ndonëse ka ulje të sasisë së drogës së trafikuar jashtë, sërish nuk mungojnë tentativat e grupeve kriminale për ta shitur lëndën narkotike që është prodhuar në vend, kryesisht drejt Greqisë.

OPERACIONET
“Përtej kufirit” – sasia e sekuestruar 300 kg Cannabis
“Stuhia” - sasia e sekuestruar 340 kg marijuanë
“Piloti” – sasia e sekuestruar 150 kg marijuanë

15 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›