E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasaportat biometrike, arsimtarëve u mbahen 6 mijë lekë nga paga e dymbëdhjetë

Qeveria ndjekë për buxhetorët të njëjtën metodë si me kartat e identitetit. Sipas projektit, e gjithë administrata do të pajiset me pasaporta me detyrim

Ervin KOÇI

Njësoj si me kartat e identitetit qeveria kërkon që të realizojë sa më parë edhe projektin me pasaportat biometrike. Ashtu siç veproi me kartat, për të grumbulluar sa më parë fondin që duhet ti kalonte kompanisë që kishte fituar tenderin e prodhimit, e njëjta metodë po ndiqet edhe me kompaninë që po prodhon pasaportat. Një sasi të madhe të fondit për këtë kompani qeveria e ka kaluar menjëherë duke ua shkëputur pagave të buxhetorëve. Këtyre të fundit njësoj si me kartat e identitetit që me detyrim iu mbajtën nga pagat 1200 lekë, ashtu edhe për pasaportat biometrike do tu mbahen nga 6 mijë lekë, pavarësisht nëse e kanë të domosdoshëm pajisjen me një dokument të tillë. Të parët që do të “gjobiten” duke iu mbajtur paratë nga paga, do të jenë arsimtarët dhe uniformat blu të Policisë së Shtetit . Ndoshta të dytët në radhën e administratës sipas informacionit do të jenë mjekët dhe infermierët, por këta më të privilegjuar, pasi shuma prej 6 mijë lekësh do tu mbahet nga paga e parë e janarit dhe jo si arsimtarët që shuma do tu mbahet që në pagën e 12-të të këtij viti. Për arsimtarët kjo pagesë do të jetë edhe më e rëndë, pasi vjen në një kohë kur pagës së tyre minimale u shtohen edhe shpenzimet e fundvitit.

Projekti

Ministria e Brendshme nga ana tjetër ka bërë të ditur se po vijon rregullisht puna për pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike në të gjithë zyrat e aplikimit, në të gjithë vendit. Por ashtu si në verë edhe tani për fundvit kërkesa për aplikimin për pasaportat biometrike do të rritet, kryesisht nga nënshtetasit e ardhur për pushime që punojnë e jetojnë jashtë vendit. Për këtë qëllim, Ministria e Brendshme i ka kërkuar kompanisë koncesionare “Aleat” që të zgjasë oraret e shërbimit për qytetarët, atje ku fluksi i kërkesave është më i madh, kryesisht në zonat me popullsinë më të madhe. Por në asnjë rast qeveria nuk ka përmendur pasaportat që aktualisht janë në përdorim dhe kanë afat edhe për shumë vite të tjera. Deri në ditët e fundit përpara se të niste aplikimi për pasaportat biometrike, shumë shtetas shqiptarë kishin aplikuar dhe ishin pajisur me pasaporta për jashtë shtetit me një afat kadence të paktën 10 vjeçar. Por për dëmshpërbimin e tyre apo për rimburësimin e kostos së pasaportave të mëparshme dhe ndryshimin e tyre, për qytetarët, qeveria në asnjë rast nuk është prononcuar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me dokumente të tjera identifikimi, siç janë certifikatat ose kartat e ndryshme të identitetit.

Kartat e identitetit

Problemet dhe peripecitë me kartat e identitetit shtrihen në një hark kohor gati 10-vjeçar. Afro 10 vjet më parë, në vitin 2000, u prodhuan në Kanada karta identiteti për 20% të shqiptarëve. Të gjitha dolën skarco, edhe pse u harxhuan 6 milionë USD. Megjithëse kishin 12 elemente sigurie, ato mbetën nëpër kosha, për shkak se regjistrimi i popullsisë u bë me gabime shumë të mëdha. Këto karta sot ndodhen në bodrumet e ish-Pallatit të Kongreseve. Katër vite me vonë, në fillim të korrikut 2004, në ekranet televizive u shfaq ish-ministri i Pushtetit Vendor, Ben Blushi. Ai tha se qeveria socialiste do të prodhonte me 6,5 milionë euro kartën e identitetit. Ato do të zëvendësonin edhe letërnjoftimet e vjetra dhe do të përdoren për votime nga qytetarët. Për këtë qëllim do të organizohej një tender ndërkombëtar. Kjo ishte hera e dytë që bëhej përpjekja për prodhimin e kartave të identitetit. Ministria e Pushtetit Vendor organizoi tenderin në pranverën e vitit 2002. Fitues doli Qendra e Evidencës Kontabile. Kjo qendër nuk kishte përvojë. Nuk kishte më shumë se 3-4 kompjuterë. Nuk kishte në punë më shumë se 10-15 punonjës. Pasi fitoi tenderin me 6 milionë USD, Qendra e Evidencës bleu rreth 150 kompjuterë, por edhe kjo rezultoi një sipërmarrje e dështuar.

15 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›