E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgaj, takim me homologun çek për luftën ndaj krimit të organizuar



Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka zhvilluar një takim me homologun tij çek, Jakub Frydrych, ku e ka njohur atë me zhvillimet ligjore dhe administrative që po ndërmerren në institucionin që ai drejton. Nga data 23-27 nëntor, një delegacion i policisë çeke do të zhvillojë një vizitë zyrtare në vendin tonë. Gjatë takimit, Burgaj i vlerësoi si mjaft pozitive marrëdhëniet e bashkëpunimit me policinë çeke dhe ai e cilësoi vizitën e delegacionit të 18 ekspertëve policorë çekë, si një vizitë të një rëndësie të veçantë, pasi vjen në një moment kur Policia e Shtetit, ashtu si dhe e gjithë administrata iu është nënshtruar një sërë reformash ligjore dhe administrative, për plotësimin e të gjitha kushteve që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave. “Është një moment historik për vendin tim dhe Policia e Shtetit është pjesë shumë e rëndësishme në realizimin e këtij qëllimi madhor”, - theksoi Burgaj. Më pas, numri një i Policisë së Shtetit u ndal në reformimin që ka pësuar Policia e Shtetit, që e ka zanafillën që me miratimin e ligjit të ri të policisë, që e shkëputi tërësisht policinë nga ndikimi politik, e që u pasua me miratimin e akteve të tjera ligjore e nënligjore në zbatim të tij. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit gjatë fjalës së tij evidentoi disa nga prioritetet madhore të Policisë së Shtetit si: lufta kundër krimit të organizuar dhe sigurimi i kufijve, forcimi i marrëdhënieve ndërkombëtare me organizatat homologe në rajon e më gjerë. “Vizita juaj këtu, përveç vendosjes së kontaktit, njohjes dhe krijimit të besimit reciprok do t’i shërbejë luftës kundër krimit. Fuqizimi i kontakteve, rritja e bashkëpunimit përmes oficerëve të kontaktit e Interpolit janë në funksion të një ndërlidhjeje sa më të shpejtë dhe në një kohë sa më të shkurtër, në mënyrë që krimi të mos gjejë strehë në asnjë prej vendeve tona”, - u shpreh Burgaj. Sipas Frydrych, këto takime do t’i shërbejnë thellimit të kontakteve të bashkëpunimit ndërmjet Policisë Çeke dhe Policisë Shqiptare, në funksion të goditjes së të gjitha formave të krimit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›