E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia shqiptare dhe belge, bashkëpunim në luftën ndaj krimit



Policia Shqiptare dhe ajo belge do të zgjerojnë më tej bashkëpunimin në trajnimin e efektivave në luftën ndaj krimit të organizuar. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj dhe Komisioneri i Përgjithshëm i Policisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës, Fernand Koekelberg, pasditen e djeshme nënshkruan planin e përbashkët të veprimit për vitet 2009-2010 ndërmjet strukturave policore të Republikës së Shqipërisë dhe atyre të Mbretërisë së Belgjikës. “Nënshkrimi i këtij plan-veprimi, që vjen pas implementimit me sukses të planit të veprimit 2007-2008, konsiston në mbështetjen me trajnime të specializuara dhe në shkëmbimin e eksperiencës dhe përvojës më të mirë mes policisë belge dhe asaj shqiptare e ka si qëllim forcimin e kapaciteteve të policisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar e trafiqeve të paligjshme”, - u shpreh Burgaj.

Sipas numrit një të Policisë së Shtetit, nënshkrimi i Planit të Veprimit do t’i shërbejë forcimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet Policisë Shqiptare dhe asaj belge, duke krijuar një stad të ri të bashkëpunimit dy palësh në luftën kundër krimit.

Burgaj i shprehu mirënjohjen Komisionerit të Përgjithshëm të Policisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës për këtë vizitë, e cila është e para e këtij lloji në Shqipëri falënderoi Koekelberg për kontributin që Policia Belge i ka dhënë Policisë Shqiptare në drejtim të trajnimeve dhe mbështetjes në shkëmbimin e informacioneve të vazhdueshme në favor të dy organizatave policore.

Ndërkohë Komisioneri i Përgjithshëm i Policisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës, u shpreh: “Vetë prania ime sot këtu mjafton për të vënë në dukje rëndësinë që ne i japim Shqipërisë në luftën kundër krimit. Në planin belg e kemi identifikuar Shqipërinë si partner të privilegjuar në luftën kundër krimit”. Koekelberg shtoi gjithashtu se Belgjika i jep rëndësi Ballkanit dhe në veçanti Shqipërisë, dhe bëri me dije faktin se gjatë vitit 2010, kur Belgjika do të ketë presidencën e Bashkimit Evropian, ka zgjedhur Tiranën për takimin e oficerëve ndërlidhës të të gjithë Evropës për Ballkanin. “Kjo tregon rolin dhe rëndësinë që i japim Shqipërisë dhe do i shërbejë përpjekjeve tuaja në luftën kundër krimit dhe përbën një ndihmesë të madhe për ju në rrugën drejt BE-së”, - vazhdoi ai.

Plani i Veprimit ndërmjet strukturave policore të Republikës së Shqipërisë dhe atyre të Mbretërisë së Belgjikës për vitet 2009-2010 përfshin bashkëpunimin në fushën e takimeve të specialistëve dhe të trajnimeve në luftën kundër krimit të organizuar, krimit ekonomik e financiar, pastrimit të parave, falsifikimit të dokumenteve, kundër terrorizmit, e mbrojtjes së të dhënave me karakter personal.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›