E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgaj vlerëson lart punën e Georgios Azelis

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua sot një ceremoni me rastin e përfundimit të detyrës në Shqipëri të oficerit ndërlidhës të Policisë greke në Tiranë, z. Georgios Azelis.
 

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin drejtues të lartë të Policisë së Shtetit si dhe Ambasadori grek i akredituar në Tiranë, Nicolas Pazios.
 

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit, Hysni Burgaj, vlerësoi bashkëpunimin dhe përkushtimin e treguar nga Azelis gjatë punës së tij trevjeçare me Policinë e Shtetit, duke e konsideruar si shumë të suksesshëm.
"Në këto tre vjet , Azelis ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy policive shqiptare dhe greke, duke realizuar shkëmbim të shpejtë dhe në kohë reale të informacioneve kriminale në funksion të procedimeve penale. Dua t`ju falënderoj për besimin reciprok që kemi krijuar gjatë këtyre viteve së bashku, për raportet dhe komunikimin shumë të mirë mes nesh dhe arritjet shumë pozitive që kemi pasur", u shpreh Burgaj.
 

Ndërkohë Ambasadori grek i akredituar në Tiranë, Nicolas Pazios, falenderoi Policinë e Shtetit veçanërisht për bashkëpunimin mjaft të mirë gjatë këtyre viteve. Duke vënë theksin tek rezultatet pozitive, z. Pazios vlerësoi sukseset e arritura gjatë bashkëpunimit mes dy policive dhe dy vendeve tona.
 

"Të dy vendet, përveçse kanë një traditë të gjatë bashkëpunimi mes tyre, kanë pasur si objekt strategjik të tyrin përpjekjet dhe progresin drejt integrimit europian. Ky progres dhe ky integrim nuk do të arrihej nëse nuk do të ekzistonte një bashkëpunim i tillë mes dy vendeve tona. Funksionimi i marrëdhënieve të mira mes policive shqiptare dhe greke është shumë i rëndësishëm edhe për funksionimin e vetë Ambasadës greke këtu në Tiranë", theksoi Pazios.
 

Me motivacionin "Për bashkëpunimin e ofruar policisë së shtetit dhe kontributin e çmuar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet policisë shqiptare dhe policisë greke", oficerit ndërlidhës Georgios Azelis, iu dorëzua një certifikatë lavdërimi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Burgaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›