E Hënë, 2 Nëntor 2026

Burgim i përjetshëm për Altin Arapin

25/03/2005  Krimet e Rënda dhanë dje vendimin. Dy vjet për Imelda Tashon

TIRANË- "Altin Arapi ka kryer vrasjen e Genci Sinës me dashje direkte. Ai ka dëshiruar ardhjen e pasojës kriminale, vdekjen e shoferit të familjes së Kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Genci Sina u vra, ndërsa ishte duke ushtruar detyrën e ushtarakut. Kjo u provua nga tërësia e provave të paraqitura para gjykatës si dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes". Të gjitha provat e paraqitura nga ana e akuzës kundër të pandehurve Altin Arapi dhe Imelda Tasho, e çuan gjykatën në deklarimin fajtor të tyre dhe dënimin përkatësisht me burgim të përjetshëm të Altin Arapit dhe dy vjet burg për Imelda Tashon. Gjykata e Krimeve të Rënda në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, bëri vetëm disa ndryshime të vogla kërkesës së paraqitur nga akuza për dënimin e të pandehurve. Kështu, gjykata deklaroi fajtore Imelda Tashon vetëm për akuzën e moskallëzimit të krimit, ndërsa e deklaroi të pafajshme për mbajtjen e armëve të ftohta dhe pushoi çështjen për akuzën e përkrahjes së autorit të krimit, duke e arsyetuar me faktin se ndjekja për të nuk duhej të kishte filluar. Për Altin Arapin, gjykata tha se duhet të përgjigjet për armëmbajtjen pa leje, jo në bazë të nenit 278/4, por 278/2. Vrasja e Genci Sinës në 29 shtator 2003, u krye për të kërcënuar Kryeprokurorin Theodhori Sollaku. Ky ishte përfundimi që nxori gjykata, ashtu si kishte konkluduar edhe akuza me provat e saj. Gjykata vendosi dënimin me burgim të përjetshëm për Arapin, pas vërtetimit të kryerjes së veprës penale të vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, vjedhje e armës së Genci Sinës, 3 vjet, armëmbajtje pa leje, 5 vjet, nga 7 që kërkoi akuza, falsifikim dokumentesh, 2 vjet, falsifikim i letërnjoftimeve apo vizave, 2 vjet, falsifikim i akteve të gjendjes civile, 3 vjet. Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve u kërkua dënimi me burgim të përjetshëm. Për Imelda Tashon, të dashurën e Altin Arapit, gjykata tha se në dënimin e saj ka parasysh faktin se është e re dhe vepra që ka kryer nuk përbën rrezikshmëri të lartë shoqërore. Gjykata në vendim u shpreh se, nuk mund të marrë parasysh faktin se Imelda Tasho është bashkëshorte e Altin Arapit, pasi nuk figuron e regjistruar në gjendje civile dhe për pasojë ajo nuk përjashtohet nga përgjegjësia e kryerjes së veprës penale. Imelda i shpëtoi armëmbajtjes dhe akuzës së përkrahjes së autorit të krimit, duke u dënuar me dy vjet burg. Vuajtja e dënimit për Tashon fillon që nga data 30 tetor 2003. Gjykata ishte dakord me arsyetimin e Prokurorisë, se e pandehura ka komunikuar me Altin Arapin në largësi, duke e vënë në dijeni për të gjitha lajmet që botoheshin pas vrasjes së Genci Sinës, madje e ka njoftuar edhe për deklaratën që ka bërë ambasadori Xhejms Xhefri për kriminalitetin në vend dhe në këto kushte nuk mund të ketë kryer akuzën e përkrahjes.

Motivi

Ngjarja, sipas arsyetimit të bërë nga gjykata, ka ndodhur rreth orës 21.00 deri 21.15 minuta të datës 29 shtator 2003. Nga të gjitha provat si dhe aktet e ekspertimit, u provua se personi që qëlloi mbi Genci Sinën ka qenë Altin Arapi. Po kështu u provua se vajza që ndodhej në taksi me autorin e krimit ka qenë Imelda Tasho. Për gjykatën, të gjitha pretendimet e mbrojtjes në seancë gjyqësore kanë qenë të pambështetura në ligj dhe nuk kanë provuar asgjë. Genci Sina ishte shoqërues i Theodhori Sollakut. Vrasja u krye për t'i dërguar Kryeprokurorit një kërcënim, me qëllim ndërprerjen e hetimeve për grupin "Hakmarrja për Drejtësi". Gjykata në vendimin e saj arriti në konkluzionin se i pandehuri i njihte shumë mirë cilësitë e viktimës Genci Sina, e dinte që ai ishte shoferi i Kryeprokurorit dhe e shoqëronte atë ngado, gjithashtu e dinte se makina me të cilën ai po lëvizte natën e ngjarjes ishte shtetërore dhe me perde që dukeshin qartë. Altin Arapi e njihte Genci Sinën, ndërsa ky i fundit nuk e kishte parë ndonjëherë fytyrën e të pandehurit. Në këto kushte, Arapi ka vepruar me dashje kur i mori jetën Sinës. Për të arritur në këtë përfundim, Gjykata e Krimeve të Rënda ka analizuar momentet para se Altin Arapi të qëllonte mbi Genci Sinën. "Ai është irrituar pa patur asnjë shkak të dhënë nga viktima. Ka qëlluar me nervozizëm xhamin e taksisë me të cilën po qarkullonte, ka fyer rëndë Genci Sinën. Ndërsa viktima ka qenë i qetë dhe kur është fyer i ka thënë se nuk po shihte atë dhe se ishte i shoqëruar. I pandehuri me dashje ka dalë nga makina, nuk e ka lënë Sinën të zbriste, duke shtyrë derën dhe ka shfrytëzuar hapësirën e xhamit të derës për ta qëlluar një herë të vetme e për t'i marrë jetën. Nga makina ka dalë Altin Arapi e jo Genci Sina. Armën për të qëlluar e ka nxjerrë Arapi e jo Sina, i cili e kishte të futur në kllëf dhe të fshehur nën jelek. Autori pas vrasjes i ka marrë pistoletën viktimës. I pandehuri nuk ia pa armën viktimës para se ta qëllonte. Kështu, ai e dinte shumë mirë kush ishte Genci Sina dhe çfarë cilësish kishte kur e vrau, e më pas i mori armën për të mos ia kthyer më".

Telefonatat dhe provat e akuzës

Gjykata ishte me të njëjtin mendim me Prokurorinë përsa i përket numrave të telefonit që janë përdorur nga autori i krimit para dhe pas vrasjes. Nga verifikimet ka dalë e vërtetuar se natën e vrasjes nga ora 10.00 deri në orën 12.00 të 29 shtatorit, Altin Arapi ka bërë 29 telefonata shokëve të tij me numrin 0692097747, që e kishte në përdorim. Nga telefonatat, 22 ishin thirrëse e 7 pritëse. Në 30 shtator numri i mësipërm doli nga qarkullimi, pra u mbyll. Njëkohësisht me Arapin numrin e ka mbyllur edhe Imelda Tasho. Ndërsa në datën 2 tetor 2003, Tasho merr një numër të ri telefoni. Me numrin e ri ajo ka telefonuar Altin Arapin në Belgjikë në numrin 0032476544521. Fillimisht u mendua se numri që fliste Imelda me Belgjikën i përkiste Orik Shytit. Gjykata tha se, Interpoli i Belgjikës ishte vënë në ndjekje të numrit të telefonit dhe vetëm kur u ndalua u saktësa se ishte i Altin Arapit. Grupi "Hakmarrja për Drejtësi" kishte arritur të siguronte tetë numra telefoni me kontratë që fillonin nga 740-747, në emër të kushërirës së Kreshnik Spahiut, Enkelejda Batku.

Vendngjarja

Provat e marra në vendin e ngjarjes dhe sjellë nga Prokuroria para gjykatës, janë konsideruar të pakundërshtueshme. Një nga provat më bindëse për gjykatën kanë qenë gjurmët papilare të Altin Arapit, të gjetura në derën e makinës "Land Rover" të drejtuar nga Genci Sina. Janë marrë fillimisht 7 gjurmë. Nga këto vetëm tre ishin në gjendje për krahasim. U bënë krahasimet me gjurmët e dëshmitarëve që lëvizën trupin e Genci Sinës. Më pas ishte Interpol Tirana, ai që nisi në Prokurorinë e Përgjithshme gjurmët e gishtave të Altin Arapit, marrë në datën 5 nëntor 2003 pas arrestimit në Belgjikë. Nga krahasimi i bërë në datën 6 nëntor 2003, rezultoi se gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes përputheshin me ato të Altin Arapit. Në derën e makinës së drejtuar nga Genci Sina, Arapi kishte lënë gjurmën e pëllëmbës së djathtë dhe gjurmën e gishtit të vogël të dorës së djathtë. Ndërsa, Imelda Tasho e ka lënë gjurmën e gishtit në momentin kur ka hapur derën e taksisë dhe është nisur pas të dashurit, të cilin e pa të kryente një krim. Edhe dëshmitë e dhëna në sallën e gjyqit, akuza i konsideroi në favor të saj. Një provë tjetër ishte edhe marrja e taksive nga i njëjti çift.

Letra

Letra e dërguar në Prokurori nga nëna e Altin Arapit, është konsideruar si provë nga gjykata. Gjyqtari Sandër Simoni tha se, kjo letër vërteton faktin se taksia është thirrur prej Altin Arapit dhe se autor i vrasjes është ai, e jo Orik Shyti. Në datën 7 tetor 2003, nëna e Altin Arapit, Bukurie Arapi, ka dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme një letër me shkrim dore të firmosur nga i pandehuri. Në letër, Arapi pranonte se numri i telefonit 747, ishte përdorur prej tij për të thirrur taksi, ndërsa taksitë nuk ishin përdorur për vrasje, pasi ai i kishte pritur disa minuta. Dokumenti ishte shkruar në datën 2 tetor nga Altin Arapi, para se të kalonte pikën kufitare të Tushemishtit për në Maqedoni, me emrin e Petrit Berzades. Ky dokument është marrë me rezervë nga akuza, pasi natën e ngjarjes dëshmitarja Batku, kishte shënuar me dorën e saj përbri numrit 747, emrin e Orik Shytit. Prokuroria, fillimisht ka dashur të besojë Batkun me dëshminë e saj spontane dhe letrën e ka marrë si një devijim të hetimit.

Kronologjia

29 shtator 2003

Vritet pranë Piramidës gardisti Genci Sina, shofer i familjes së prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku

30 tetor 2003

Arrestohet në Belgjikë Altin Arapi. Akuzohet si vrasës i gardistit Genci Sina, shoferit të familjes së prokurorit të përgjithshëm Theodhori Sollaku. Bashkë me te arrestohen të njohurit e tij Artan dhe Gazmend Sadiku

30 tetor 2003

Arrestohet në Tiranë, punonjësja e Ministrisë së Jashtëme, Imelda Tasho, e dashura e Altin Arapit. Akuzohet si bashkëpunëtore e Arapit në vrasjen e Genci Sinës me 29 shtator 2003

7 janar 2005

Gjykata e Krimeve të rënda liron Imelda Tashon, pasi kanë ndryshuar rrethanat e hetimit. Për të vendoset masa e sigurisë arrest shtëpie

24 mars 2005

Gjykata e Krimeve të Rënda dënon me burgim të përjetshëm Altin Arapin dhe me dy vjet heqje lirie Imelda Tashon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›