Tufa, avokati kërkon kohë për të larguar prokurorin
25/03/2005 TIRANË – "Kërkoj maksimumin e kohës që lejon ligji për të pregatitur deklarimet që do të japim para gjykatës si dhe një kërkesë për përjashtimin e prokurorit Olsian Çela". Kjo ishte kërkesa e bërë nga avokati Ferdinand Doja, pasi nuk ka bindur dje gjykatën për të risjellë edhe një herë para saj ekspertët e huaj. Ferdinand Doja kërkoi ripyetjen e ekspertëve në gjykatë për të sqaruar edhe një herë saktë se kush është autori i mundshëm i vrasjes te "Kartodromi", duke përjashtuar në mënyrë kategorike klientin e tij. Konkluzionet e interpretimit të ekspertes Suzan Pop, avokati i quajti të pabazuara dhe në kundërshtim me ato të nxjerra nga ekspertët italianë. Për avokatin, para gjykatës duhet të sillen të gjithë ekspertët dhe të bëhet ballafaqim. Por, gjithçka u kundërshtua nga prokurori dhe më pas nga gjykata. Suzan Pop ishte e prerë në mendimet e saj, tha akuza dhe ekspertja u thirr si e paanshme nga gjykata. Për të bërë një interpretim të saktë të konkluzioneve, ajo tha se ka patur përpara aktin e ekspertimit të ADN-së së Lavdërim Tufës, bërë në Laboratorin Qendror të Policisë Shkencore Italiane, nga doktor Ronaldo Biondo. Në aktin e tij të ekspertimit, Biondo ka cilësuar përpuethshmërinë e Tufës në masën mbi 90%. Pra, sipas aktit që ka dalë nga laboratori italian, Lavdërim Tufa mund të konsiderohet ai autor i mundshëm i vrasjes së Fatmir Ramës dhe shokëve të tij, në mars të vitit të kaluar në ambientet e "Kartodromit". "Unë në vlerën e ADN-së së përzier që ka dalë nga maska, kam marrë në konsideratë dhe versione të tjera, e kam parë se individi 1 (që në këtë rast është Lavdërim Tufa), ka kontribuar më shumë në këtë përzierje". Kjo qe deklarata e parë e ekspertes nga Londra. "ADN-ja e Lavdërim Tufës, përputhet me ADN-në e përzierjes së gjetur në hapësirën e maskës së gjetur në vendngjarje. Dua të them se mundësia e përpuethshmërisë së një personi tjetër, që nuk ka lidhje me këtë, është 1 bilion". Ekspertja nga Londra, duke bërë këtë interpretim, tha se mundësia që Lavdërim Tufës me ADN-në e përziresjes është në shkallën superiore.