E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fajdet, Sollaku në Greqi më 1 prill

25/03/2005  Tri ditë më parë, në shtetin fqinj ka shkuar shefi i antimafias

Prokurori i Përgjithshëm shqiptar, Theodhori Sollaku, më 1 prill 2005 do të jetë në Athinë. Burime të besueshme bëjnë të ditur se vizita zyrtare e shefit të akuzës, do të ketë në axhendë një numër të konsiderueshëm çështjesh dhe dosjesh të përbashkëta. Nuk do të jenë jashtë vëmendjes së takimeve të Sollakut, hetimet për piramidat, episode të të cilave kanë sjellë fakte të reja në muajt e fundit. Transfertat e parave në miliarda, ku janë përfolur si të implikuar ministra e deputetë, pohohet se do të jenë pjesë e punës së kryeprokurorëve të dy vendeve. Agjenti Vavilis, "sipërmarrësi" i çuditshëm që shfaqet çdo javë në një nga ish-skemat piramidale, si biznesmen, nënkontraktor, ka futur në lojë dhe deputetë e pushtetarë të vendit fqinj. Do të jetë takimi i dytë në harkun e gjashtë muajve mes drejtuesve të prokurorive të Greqisë dhe Shqipërisë.

Shtylla

Vetëm tri ditë më parë, drejt Athinës ka udhëtuar dhe shefi i antimafias shqiptare, Zamir Shtylla. Marrja në pyetje e Lefter Cenajt, ish-president i Ce&Co, që, aktualisht vuan dënimin e dhënë nga gjykata e Janinës, është një nga detyrat që pritet të mbarojë në vendin fqinj, kreu i luftës kundër krimit të organizuar. Shtypi grek, e më pas ai shqiptar, kanë përfolur ministrin Arben Malaj dhe deputetin Kristo Goxhi, të implikuar në transferimin në Greqi të mbi 50 miliardë dhrahmive në vitet ‘97-‘99.

Malaj

Ministri i Financave, Arben Malaj, ka reaguar ndaj lakimit të emrit të tij, si i implikuar në transferta parash drejt Greqisë. Malaj, nëpërmjet zëdhënësit, ka pohaur se "sulmet ndaj tij, të cilat në mënyrë direkte, ose indirekte, i janë drejtuar ministrit të Financave, Arben Malaj, janë pjesë e një fushate dhe presioni, e nisur që në vitin 1997. Është evident fakti që, shpërbërja e skemave piramidale ka prekur shumë interesa, përfshirë dhe ato kriminale. Një pjesë e burimeve të këtyre skemave janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren për qëllime kriminale. Në vazhdimësi, këto para janë vënë në shërbim të fushatave denigruese kundër personave dhe institucioneve, që janë angazhuar dhe kanë marrë përgjegjësinë për të mbyllur skemat piramidale".

Goxhi

Ndërsa, Kristo Goxhi ka pranuar se ka qenë pjesë e një transferte parash, por gjithçka është bërë sipas ligjit. Goxhi ka deklaruar se lëvizjet e parave janë bërë konform ligjeve. "Të gjithë kemi lënë kush më shumë e kush më pak para në firmat piramidale. Unë e pohoj se kam bërë një transfertë të parave të firmës ‘Cenaj’. Transferta ishte juridike dhe paratë ishin të firmës ‘Cenaj’. Me këtë është njohur dhe drejtësia shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›