Pranga, mbante në shtëpi prostitutën 18 vjeçe
25/03/2005 TIRANË- Për muaj me radhë, një 37-vjeçare mbante në shtëpinë e saj një vajzë si prostitutë. Rozeta Alku, pasi e kishte joshur me shuma të mëdha fitimi fqinjën e saj 18-vjeçare, e "strehoi" në shtëpinë e saj me vetë dëshirën e vajzës. Informacioni për këtë shtëpi prostitucioni kishte mbërritur një javë më parë në zyrat qendrore të ekspertëve të Antitrafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, të cilët më pas firmosën urdhërarrestin për Alkun, lindur në Dibër e banuese në Tiranë. Nga burime të Antitrafiqeve, mësohet se prostitucioni ushtrohej në brendësi të banesës së 37-vjeçares pranë Stacionit të Trenit. Klientela i përkiste shtresave të ndryshme, me prirje nga ajo e mesme, pasi pazari për çdo seancë ishte përgjithësisht 40 mijë lekë të vjetra. Arrestimi i strehueses së vajzës 18-vjeçare u krye në flagrancë, në momentin kur disa agjentë civilë hynë në ambientet e brendshme të shtëpisë dhe e vunë nën pranga. Ndërkaq, ndaj vajzës që ushtronte prostitucion, emri i së cilës nuk bëhet i ditur, nuk u mor asnjë masë. Vetëm dy ditë më parë, në "Breg të Lumit" u kap një 18-vjeçare, e cila ushtronte aktivitetin e prostitutës në një motel me vetë dëshirën e prindërve të saj, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike.