E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për 215 krime të vjetra kanë rifilluar hetimet

25/12/2008  Analiza njëvjeçare e Departamentit të Hetimit të Krimit, 35 operacione

TIRANE- Departamenti i Hetimit të Krimit që drejtohet nga zv/drejtori i policisë së shtetit Agron Kulicaj, zhvilloi dje analizën vjetore ku në praninë e specialistëve u krye një pasqyrim i punës hetimore të këtij sektori. Faktori më pozitiv i këtij departamenti ka qenë rifillimi i hetimeve për 215 krime të vjetra nga të cilat është bërë e mundur dokumentimi për 170 vepra penale, ku 39 prej tyre janë vrasje të ndodhura gjatë vitit 1997 dhe më tej. Drejtuesi i këtij departamenti tha se gjatë këtij viti departamenti për Hetimin e Krimeve ka përballuar një volum pune të konsiderueshëm duke bërë përpjekje për të konsoliduar Strukturën e re të Policisë së Shtetit, implementuar aktet nënligjore të dala në zbatim të ligjit të Policisë së Shtetit, si dhe për të përballuar situatën kriminale e për të zbatuar detyrimet e marra nga Programi Vjetor i Punës së Policisë së Shtetit për vitin 2008. Sipas Kulicaj, lufta kundër krimit të organizuar mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. “Shqipëria vazhdon të arrijë sukses me programin e saj për luftën kundër krimit të organizuar, për garantimin e një kontrolli efektiv dhe sigurimin e territorit të saj”, u shpreh Agron Kulicaj. Nga ky departament një punë e mirë është bërë në luftën kundër narkotikëve, ku gjatë vitit 2008 janë evidencuar 624 vepra penale. Nga verifikimet e kryera dhe 35 operacionet e vëna në zbatim janë identifikuar 587 persona, si dhe janë arrestuar 466 të tjerë. Gjithashtu specialistët e këtij sektori kanë goditur 40 grupe kriminale të trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, ku në përbërje të tyre janë proceduar penalisht 172 persona. Lufta ndaj lëndëve narkotike është vlerësuar edhe nga policitë homologe të vendeve evropiane, pasi ndryshe nga vitet e tjera kur në Itali sekuestroheshin tone ma lëndë narkotike të nisura nga Shqipëria, për vitin 2008 janë sekuestruar vetëm 10 kg heroinë e 4 kg mariuanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›