E Hënë, 2 Nëntor 2026

Burgjet, 500 të dënuar janë analfabetë

09/01/2005  TIRANË – Janë të paktën 500 të dënuar nëpër burgje, që nuk dinë të shkruajnë dhe lexojnë. Analfabetizmi zë pothuaj një të katërtën e të burgosurve. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, bëri dje analizën vjetore të punës. Megjithëse drejtori Engjëll Hysi nuk ka shumë kohë që ka zënë karrigen, që u mbajt për një kohë të gjatë nga zv.ministri Anastas Duro, në prani të drejtorëve të burgjeve, shefave të sektorëve, ai bëri një përmbledhje të hollësishme.

Analiza

Analiza e burgjeve u bë pa praninë e medias, ndërsa në fund u formulua një deklaratë. Një nga pikat më diskutuese në analizë ishte mbipopullimi i burgjeve. Për vitin 2004, megjithëse mangësitë kanë qenë të shumta, u përmend se ka patur edhe disa arritje. Të tilla janë përmendur paraqitja e një situate normale pa ngjarje të jashtëzakonshme, trajtimi normal i të dënuarve në vendet e vuajtjes së dënimit, duke respektuar të drejtat e njeriut, ndryshimi i mentalitetit për trajtimin e të dënuarve, duke ngritur kurse trajnimi. Gjatë vitit 2004 janë bërë edhe ndryshime në disa institucione të vuajtjes së dënimit, përsa i përket infrastrukturës, megjithatë gjithçka është shumë larg standardeve evropiane. Në analizë u tha se janë bërë ndryshime, përsa u përket pajisjeve të disa burgjeve me tualet brenda në dhoma. Këtu u përmend Burgu i Peqinit, Tepelenës dhe ai 302 në Tiranë. Të tre këto burgje janë të sigurisë së lartë. Është vendosur sistemi i ngrohjes në burgjet e Burrelit, Tepelenës dhe 302 në Tiranë. Nga Buxheti i vitit 2004 për rritjen e sigurisë janë shpenzuar 23 për qind e shumës për përmirësimin e infrastrukturës dhe fasadës, 19 për qind për zgjerimin e kapacitetit, 42 për qind për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe 16 për qind për rritjen e shkallës së sigurisë.

Prioritetet

Engjëll Hysi ka prezantuar dje edhe prioritetet për vitin që sapo ka filluar. Ai është shprehur optimist për të bërë sa më shpejtë riorganizimin dhe miratimin e strukturës së Drejtorisë së Përgjithshme. Po kështu, Hysi tha se do të bëjë këtë vit edhe miratimin e rregullores së burgjeve sipas sigurisë, do të përgatisë kodin e etikës për të gjithë punonjësit e sistemit të burgjeve. Një pikë tjetër që është parë me shumë kujdes nga Hysi është edhe studimi dhe ndryshimet përkatëse në strukturën e burgjeve, sipas treguesve realë që kanë dhe jo sipas modelit tip të burgjeve. Ndërsa do të ketë edhe prioritete të veçanta. Mundësimi i punësimit të të dënuarve, duke siguruar hapësirat e nevojshme ligjore dhe infrastrukturore. Deri tani, kjo pikë ka qenë e vdekur. Të dënuarit që kanë arritur të bëjnë ndonjë punë në burgje, janë paguar vetëm 1 mijë lekë të vjetra të muaj.

Shkollimi do të jetë një tjetër pikë që parashikohet për këtë vit. Sipas Hysit do të mundësohet që të dënuarit të arsimohen në nivele më të larta. Aktualisht, në burgjet tona ndodhen 502 të dënuar analfabetë, 1306 me arsim tetëvjeçar, 486 me arsim të mesëm dhe 41 të dënuar me arsim të lartë. Zbutja e mbipopullimit është një nga prioritetet për këtë vit. Mbipopullimi është shfaqur në analizën e djeshme si gangrenë e burgjeve. Nga shifrat del se kapaciteti i burgjeve tona arrin në 2663 të dënuar, pra 47 për qind, ndërkohë që gjendja reale është 3048, 53 për qind.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›