Romët, Prokuroria verifikon dëshmitë
09/01/2005 Prokuroria e Tiranës filloi dje hetimet lidhur me ngjarjen, gjatë të cilës punonjësit e Policisë Ndërtimore dhe asaj të Rendit, ushtruan dhunë ndaj disa banorëve romë të kryeqytetit. Dy ditë më parë, policia ndërtimore dhe efektivat e rendit ia kanë behur në anën e urës, që ndodhet në rrugën "Konferenca e Pezës", pranë shkollës "Teknologjike" në Tiranë, me urdhrin për të shembur disa ndërtesa pa leje. Por aksioni ka përfunduar në një konflikt mes policisë dhe banorëve. Njëri prej tyre ka vdekur, sipas banorëve, për shkak të policisë. Por kjo dëshmi, prej ditës së djeshme, ka filluar të verifikohet nga Prokuroria e Tiranës, e cila është në pritje edhe të autopsisë së vdekjes së personit që humbi jetën. “Na shanin, na ofendonin dhe na fyenin. Policët i kanë goditur me mjete të forta”, kanë pohuar banorët. Hetuesit e Tiranës, thonë se nuk janë të bindur për vërtetësinë e këtyre dëshmive, ashtu sikurse dyshojnë edhe te versioni i paraqitur nga policia. Në këtë mënyrë, organi i akuzës ka filluar dje verifikimet e dëshmive të dhëna nga të dy palët në konflikt, policia dhe banorët e rrugës “Konferenca e Pezës”. Sipas tyre, efektivat e policisë që kanë ushtruar dhunë kanë shkuar në zonë me dy mjete me targa, TR 6259 H të policisë ndërtimore, si dhe një mjet tjetër me targë POLICIA 1267. Në një moment kur ndërhyra të hiqja një fëmija, nga fadroma disa polica, uniformat blu, nisën t'i bërtisnin. Banorë të tjerë të "lagjes" kanë pohuar se policia i ka ofenduar në forma raciste dhe ka ushtruar dhunë në të gjitha format e mundshme.