Hetimi, heroinën e solli Arben Laze nga Maqedonia
Dosja, tri akuza për presidentin e klubit sportiv “Elbasani”
Prokuroria verifikon pronat dhe llogaritë bankare të Lazes
Droga për të cilën akuzohet presidenti i sport-klub “Elbasani” dyshohet të ketë ardhur nga Maqedonia. Madje, dyshohet që kjo drogë të jetë sjellë nga vetë Laze nga Maqedonia, ku faktohet të ketë qenë disa ditë më parë. Sipas të dhënave që disponon grupi hetimor, është vërtetuar udhëtimi i Arben Lazes në Maqedoni dhe kthimi tri ditë më parë. Aty mësohet të jetë siguruar sasia e heroinës së kapur. Gjithashtu, në momentin e arrestimit, presidentit të klubit sportiv “Elbasani” i janë gjetur 1 mijë euro, të cilat dyshohen të jenë siguruar nga shitja e heroinës. Heroina mësohet t’i jetë shitur shtetasit nga Fieri, i cili njihet si kontingjent policie në qytetin e tij. Ndërkohë mësohet se dosja e presidentit të sport-klub “Elbasani” do të hetohet nga Krimet e Rënda. Arsyeja pse kjo dosje ka kaluar për hetim te prokurorët e Krimeve të Rënda është klasifikimi i veprave penale të kryera nga personi i arrestuar, si dhe kryerja e tyre në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Presidenti i futbollit, Laze, sipas akuzës, dyshohet të jetë kreu i këtij grupi, ndërkohë që paraprakisht për të janë ngritur tri akuza, “trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, “krijim i një grupi të strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale në kuadër të këtij grupi”, si dhe “armëmbajtje pa leje”. Gjithçka u përgjua për 3 muaj dhe pas grumbullimit të provave dhe përgjimeve, u finalizua operacioni i antitrafikut në bashkëpunim me Krimet e Rënda. Materialet e grumbulluara u kanë kaluar në dorë hetuesve të Krimeve të Rënda, të cilët sipas burimeve, pritet të dërgojnë për masë ditën e sotme katër të arrestuarit në gjykatë. Akuzat që rëndojnë mbi të akuzuarit janë të njëjta me ato që akuzohet paraprakisht edhe presidenti i klubit sportiv “Elbasani”. Katër të akuzuarit që pritet të dalin sot për masën në Gjykatën e Krimeve të Rënda janë Arben Laze, vëllai i tij, Fatjon Laze, si dhe dy shtetas nga Fieri dhe Lushnja, Arben Prifti dhe Shkëlqim Hyzma. Sipas burimeve, mësohet se në momentin e arrestimit nuk ka pasur asnjë rezistencë apo përpjekje për t’iu shmangur policisë, ndërkohë që gjatë shoqërimit të tyre në qelitë e paraburgimit, ata janë shprehur të habitur nga masat e arrestit. Mësohet se edhe avokatët e tyre ligjorë janë paraqitur menjëherë në prokurori sapo kanë mësuar për ndalimin e klientëve të tyre, për t’u njohur me akuzat. Prej kohësh në zyrat e prokurorëve kishte mbërritur një informacion mbi një linjë të re trafiku ndërkombëtar droge. Pas përgjimeve dhe survejimeve, agjentët antikrim zbuluan se pas këtij trafiku qëndronte presidenti i klubit të futbollit të Elbasanit, Arben Laze. Për të vërtetuar akuzat, janë siguruar shumë prova materiale dhe filmike.
Arrestimi
Presidenti i klubit të futbollit të Elbasanit, Arben Laze, është arrestuar nga policia për trafik droge. Së bashku me të janë vënë në pranga vëllai i numrit një të klubit sportiv, Flamur Laze dhe dy persona të tjerë. Sipas hetimeve të kryera nga ana e policisë, të katër personat ishin pjesë e një grupi kriminal, i cili merrej me trafikun e drogës. Policia kishte disa muaj që po hetonte këtë grup dhe ditën e djeshme vuri në pranga edhe tre persona të tjerë. Para dy ditësh u arrestua në Divjakë me 1 kg heroinë Shkëlzen Hyzma, i cili sipas burimeve të policisë, ishte ortak me Lazen. Të arrestuarit janë shoqëruar për në ambientet e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara drejtësisë. Ata akuzohen për “trafik të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim”. Arben Laze kishte tetë vjet që ishte presidenti i klubit sportiv të futbollit të Elbasanit. Arrestimi i presidentit të klubit të Elbasanit u krye dy ditë më parë, rreth orës 19:30. Së bashku me të u vu në pranga edhe vëllai i tij, Flamur Laze. Presidenti i klubit verdheblu ishte duke qëndruar në lokalin e tij në Elbasan, ndërsa është organizuar operacioni i policisë për arrestimin e tij i koduar “Mesfushori”, në rrugën “Qamil Guranjaku”, 800 metra larg Drejtorisë së Policisë Elbasan. Operacioni u shtri edhe në rrethet e Fierit e të Lushnjës. Nga ana e uniformave blu u vu në pranga edhe Arben Prifti nga Fieri.
Prokuroria
Verifikim pasurive të Arben Lazes
Prokuroria ndërmerr hapat e parë për verifikimin e pasurive të presidentit të ekipit të futbollit “Elbasani”, Arben Laze. Sipas burimeve nga akuza, ka filluar verifikimi i pasurive të Lazes, ndërkohë që pritet vënia nën sekuestro konservative e pronave të tundshme dhe të patundshme të tija, si dhe llogarive bankare. Paraprakisht organi i akuzës ka filluar nga puna për evidentimin e pronave të Lazes dhe të arrestuarve të tjerë, ndërkohë që do të jetë vendimi i gjykatës, ai që do vërë nën sekuestro pronat e tij. Por, ajo që mësohet është se pas arrestimit, nga ana e organit të akuzës është vendosur bllokimi i pasurive të të arrestuarit Laze. Ndërkohë që është kërkuar ndihmë edhe nga bankat dhe ZRPP-të për saktësimin e pronave që disponon presidenti i klubit sportiv “Elbasani”.
Akuzat
“Trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike”
“Krijimi i grupit të strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale në kuadër të këtij grupi”
“Armëmbajtje pa leje”
Të akuzuarit
Arben Laze
Fatjon Laze
Arben Prifti
Shkëlqim Hyzma