E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkurrenca: “Petrolifera mban pozita monopol në tregun e karburanteve”



Ervin KOÇI

Tregu i hidrokarbureve në vend është përfshirë nga skema monopoliste të cilat kanë nisur të bëhen fare hapur dhe në kundërshtim të plotë me ligjet. Komisioni i Konkurrencës ka vendosur të ndërhyjë menjëherë në tregun e gazit të lëngshëm dhe të ndërmarrë masa të përkohshme. Këtë e bëri të ditur në një konferencë shtypi drejtuesja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati, e cila lëshoi edhe paralajmërime për gjoba, edhe pse këto të fundit janë një histori më vete për AK-në, pasi edhe kur vendosen nuk vilen. AK-ja ka vërtetuar dyshimet paraprake se shoqëria që ka me koncesion depozitat e gazit në portin e Vlorës, e njohur si “Petrolifera Italo-Albanese” ka kufizuar konkurrencën duke lejuar vetëm një shoqëri të përdorë terminalin e ngarkim-shkarkimit të gazit. “Nga inspektimet e kryera rezultoi se vetëm një operator i tregut ka drejtë të shkarkojë dhe të depozitojë produktet e saj në terminal. Kjo kontratë mund të ketë efekte të rënda kufizuese për konkurrentët, pasi nuk u ka dhënë mundësinë ndërmarrjeve të tjera që operojnë në këtë treg”,- deklaroi dje Lindita Lati, kryetare e AK-së. Paraprakisht Komisioni i Konkurrencës morri vendim që urdhëron shoqërinë “Petrolifera” që të hapë brenda 5 ditësh terminalin e shkarkimit për të gjitha shoqëritë e importit të gazit, në të kundërt do të ketë masa të tjera më të forta.

Vendimi
Komisioni i Konkurrencës vendosi marrjen e këtyre masave të përkohshme: Detyrimin e menjëhershëm dhe jo me vonë se 5 ditë nga njoftimi i vendimit, të ndërmarrjes “La Petrolifera Italo-Albanese ” Sh.a., për të mundësuar ankorimin, shkarkimin, trajtimin dhe depozitimin e gazit të lëngshëm për çdo operator të licencuar kombëtar ose ndërkombëtar të interesuar të operojë në këtë terminal; Njoftimin pranë Autoritetit të Konkurrencës për përjashtim nga ndalimi me vendim të Komisionit të Konkurrencës të të gjitha marrëveshjeve të eksluzivitetit të koncesionarit “La Petrolifera Italo-Albanese ” Sh.a., në bazë të neneve 6 dhe 49 të ligjit nr. 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. “Moszbatimi i këtij vendimi përbën shkelje të rëndë të konkurrencës dhe ndëshkohet me gjobë 2-10 për qind të xhiros vjetore”- tha kryetarja e AK-së, Lati. AK-ja ka njoftuar gjithashtu se pas konstatimit paraprak të shkeljes së konkurrencës, do të vazhdojë më tej hetimet për të përcaktuar nëse ka kufizime të konkurrencës në tregun e ngarkim-shkarkimit dhe depozitimit të gazit të lëngshëm.

Monopoli
Petrolifera ka me koncesion eksluzivitetin e depozitave të gazit në portin e Vlorës, një monopol që i është dhënë nga qeveria shqiptare, që sipas Autoritetit dyshohet se është keqpërdorur në kurriz të konsumatorëve, duke shkaktuar një rritje mbi 20 për qind të çmimit të gazit të lëngshëm në tregun vendas. AK-ja njoftoi se hetimi për këtë çështje do të vazhdojë deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar bashkë me sanksionet përkatëse për shoqërinë. Pas ndërtimit mes shumë debatesh dhe kundërshtish, Petrolifera ka shkelur rëndë ligjin duke cenuar edhe konkurrencën në treg. Kjo kompani, në kundërshtim të ligjit ka bllokuar importuesit e gazit të kryejnë këto shërbime pranë portit të Vlorës, duke favorizuar vetëm një subjekt. Tregu i shërbimit të ngarkim, shkarkimit dhe depozitimit të hidrokarbureve është i liberalizuar. Kjo veprimtari realizohet në dy porte, në Vlorë dhe Porto Romano në Durrës. Të dy këto veprimtari funksionojnë në bazë të marrëveshjeve të koncesionit. Por investimi i Petrolifera-s u përshi nga debate të forta si të banorëve të Vlorës edhe të eksperteve mjedisor, të cilët ishin kundër ndërtimit, pasi ai do të shkaktonte ndotje të bregdetit, nga shkarkimet e karburanteve. Për këtë fakt u krijuar edhe Aleanca e Gjirit të Vlorës, një grupim qytetar ky i cili kërkoi edhe referendum për këtë investim, por kërkesa e tyre u hodh poshtë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Shkurt/////////////////////////////
Projekti, 6300 hektarë tokë do të ripyllëzohen për të ulur ndotjen dhe erozionin

Zyra e Bankës Botërore në Shqipëri njoftoi se ka arritur të sigurojë fonde nga Mekanizmi i Zhvillimit të Pastër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për financimin e një projekti ripyllëzimi në Shqipëri. Sipas BB, ky është projekti i parë shqiptar që përfiton financim nga fondi për uljen e emisionit të dyoksidit të karbonit në planet. Dyoksidi i karbonit konsiderohet si shkaktari më i madh i fenomenit të ngrohjes globale. “Projekti për Rigjenerimin Natyror dhe Pyllëzimin, pjesë e Programit të Zhvillimit të Burimeve Natyrore, synon të pyllëzojë dhe ripyllëzojë tokat shumë të degraduara dhe të gjallërojë pyje me drurë gjethegjerë shumë funksionalë me specie të vendit”,- njoftoi BB-ja. Zona e projektit, vlerësuar nga kompania e pavarur audituese “TueV Sued”, është 6,272.34 ha dhe përfshin këto aktivitete: I) mbrojtjen e zonave për rigjenerimin natyror me një gardhim prej 168,868 m, II) mbjelljen e 2817.6 ha shtesë (200 – 500 fidanë për ha) për të pasuruar larminë e specieve dhe stabilizuar zonat me erozion, III) punime bazë të pylltarisë në 4286.83 ha për të promovuar rritjen e biomasës (si shartimin, pastrimin dhe rrallimin). Sipas vlerësimeve, aktivitetet e përfshira në projekt priten të eliminojnë rreth 0.14 tonë metrik ekuivalente të dyoksidit të karbonit (MtCO2e) deri në 2012 dhe rreth 0.25 MtCO2e deri në 2017. Mekanizmi i Zhvillimit të Pastër të OKB-së është një traktat ku vendet e zhvilluara, të cilat emetojnë sasi të mëdha dyoksidi karboni, detyrohen të paguajnë për dëmin që i shkaktojnë planetit. Këto fonde mund të përfitohen nga vendet e pazhvilluara, në rast se prezantojnë projekte që shmangin emisionet e karbonit. Një numër i madh projektesh të energjisë së pastër që janë ideuar në Shqipëri, të tilla si: hidrocentrale të vogla, impiante të prodhimit të energjisë së erës apo bionafta, synojnë që të gjitha të përfitojnë nga fondet e OKB-së për zhvillim të qëndrueshëm. Megjithatë, asnjë kompani shqiptare nuk ia ka dalë të përfitojë nga këto fonde. Austriakët e Verbund, të cilët nisën këtë muaj ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës, deklaruan se i kanë plotësuar të gjitha kushtet për të përfituar nga këto fonde dhe se do të paraqesin projektin pranë zyrës së OKB-së që menaxhon fondin e Zhvillimit të Pastër me qendër në Bon të Gjermanisë. Disa kompani private kanë filluar t’u drejtohen konsulentëve të huaj për të prezantuar në Bon projektet e veta me qëllim që të përfitojnë nga këto fonde. Zhvillimi i pyjeve në zonat kodrinore e malore të Shqipërisë shihet nga ekspertët e zhvillimit si një mundësi e madhe për uljen e varfërisë në këto zona. Aktualisht, sipërfaqe të konsiderueshme të Shqipërisë nuk përdoren për prodhim, ose përdoren pa efikasitet për kullotjen e dhive, ndërkohë që vlerësohet se pyllëzimi është një investim fitimprurës.
“Projekti shtrihet në 24 komuna dhe 5 rajone dhe përdor speciet e mëposhtme: gjethegjerë dhe halorë të vendit (lis, gështenja, panjë, mështekne, arrë dhe pisha) dhe akacie (nga fara vendase përzier me specie të tjera). Zonat e projektit u takojnë pyjeve komunale, të drejtat e përdorimit të të cilave janë transferuar pranë komunave”, njoftoi BB.

Mjedisi, shoqëria civile ankohet për mungesën e transparencës

Vitet e fundit Shqipëria e ka shkelur disa herë konventën e “Arhusit”, përmes së cilës garantohet informimi i hapur i publikut për zbatimin e çdo projekti. Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë kërkuar transparencë dhe informim të publikut mbi efektet mjedisore dhe shëndetësore që mund të sjellin ngritja e veprave si TEC-i në Vlorë, apo ai me qymyrgur në Durrës. Banka Botërore ka dhënë një fond prej 370 mijë dollarësh për zbatimin e një projekti përmes së cilit do të synohet rishikimi legjislacionit ekzistues dhe më shumë transparencë të projekteve nga ministritë. “Ne kemi pasur gjithnjë ankesa nga OJF-të që janë përcjellë edhe në organizma ndërkombëtare ku është theksuar se, parimi i pjesëmarrjes publike duhet të forcohet edhe të rritet”,- u shpreh Taulant Bino, zëvendësministër i Mjedisit. Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë kërkuar që këto fonde të mos menaxhohen vetëm nga Ministria e Mjedisit, pasi kjo do të sillte një centralizim të punës.

18 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›