E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr për delet, vret me thikë bashkëfshatarin

Delet e autorit hynë në arën e viktimës. Pas sherrit, Ilir Leka u vra me thikë nga Lutfi Sharka


Lushnje- Një dele e mbajtur 'peng', si kërcënim që bashkëfshatari të merrte masa për të mos lejuar që bagëtitë e tij t'i prishnin të mbjellat në arë, i ka kushtuar jetën 33-vjeçarit Ilir Leka, nga Hysgjokaj i Lushnjes. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, kur tentativa për sqarim mes dy bashkëfshatarëve ka përfunduar me një viktimë.


Zanafillë është bërë tufa e bagëtive të Lutfi Sharkës (autorit), të cilat, sipas dëshmive të mbledhura e kishin bërë të udhës të kullotnin në arat e viktimës.
Pas këtij shqetësimi, Leka ka mbajtur peng një dele të Sharkës, tufa e të cilit si zakonisht ishte futur edhe mbrëmë në pronën e tij.


Ka qenë ora 08.30 e mëngjesit të sotëm kur viktima, baba i dy fëmijëve sapo ishte kthyer nga serat e tij është thërritur nga bashkëfshatari, Sharka.


Të dy bashkë janë ndalur në hyrje të banesës së Sharkës, ku ky i fundit ka kërkuar të sqarohen. Fillimisht kanë nisur të debatojnë, por duket se më pas situata është tensionuar, deri në përdorimin e armës së ftohtë. Sharka ka goditur tre herë me thikë mbi Lekën dhe kur e ka parë atë të gjakosur është larguar me vrap.


Viktima ka mundur të bëjë ca metra, ashtu i plagosur si ishte, ka hyrë në derën e shtëpisë së tij dhe i ka treguar gruas emrin e personit që e plagosi. Më pas ka rënë përtokë. Gruaja, e alarmuar ka kërkuar ndihmë për të transportuar në spital, por ai ka gjetur vdekjen gjatë rrugës, pa mundur të marrë ndihmën e parë.


Policia pas njoftimit të marrë ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Një grup hetimor i posaçëm ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërkohë që policia është angazhuar për gjetjen e autorit.


Në akset hyrëse dhe dalëse të zonës janë ngritur postblloqe policie, ndërkohë që forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë qenë gjithë ditën në qarkullim. Burime nga grupi hetimor në terren janë shprehur se kapja e autorit është çështje orësh, por deri vonë nuk ka pasur njoftim për kapjen e tij.


Në kohën që në shtëpinë e viktimës janë hapur dyert për mort, policia ka marrë në mbrojtje familjen e autorit, e cila ndodhet vetëm pak metra larg familjes Leka. Kjo, nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme, edhe pse familjarë të viktimës, të mbytur në dëshpërim nuk kanë lënë të kuptohet asgjë e tillë.


Bashkëfshatarët tregojnë se autori ka qenë shqetësim në fshat edhe më parë, gjithnjë për faj të bagëtive. Sipas tyre, edhe më parë bagëtitë e tij janë bërë shkak për debate me bashkëfshatarët. Madje ata tregojnë se këto debate, kanë degjeneruar edhe në sherre dhe plagosje. Kristaq Thanasi

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›