E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgjet, zbrazet Tirana, mbushet Lezha dhe Peqini

15/03/2005  TIRANË- Dy burgjet e ndërtuar në mënyrë bashkëkohore, Lezha dhe Peqini, janë pritësit e numrit më të madh të të dënuarve, që deri tani kanë qëndruar në qendër të "metropolit". Nga Tirana janë lëvizur drejt Peqinit dhe Lezhës të dënuar nga Burgu 302. Ndërsa, edhe nga Burgu 325 janë transferuar për në Lushnjë dhe Peqin. Pothuajse çdo ditë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën transferime të të dënuarve nga njëri burg në tjetrin. Kjo bëhet jo vetëm pas kërkesave të vetë të dënuarve, por edhe për efekt sigurie. Kështu të gjithë të dënuarit për krime të rënda, me shumë kujdes dhe nën masa të forta sigurie, janë dërguar drejt Lezhës, Peqinit dhe Burrelit. Burgu i Sigurisë së Lartë 302 Tiranë është drejt boshatisjes. Transferimet nga ky burg në atë të Peqinit dhe Burrelit kanë filluar të parat. Ndërsa po vazhdon edhe puna për largimin e të dënuarve me formë të prerë nga paraburgimi i disa qyteteve, që deri tani vazhdon të jetë në varësi të Ministrisë së Rendit Publik. Ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafa, premtoi verën e kaluar se kalimi i personave me vendim të formës së prerë nga paraburgimi në kamp do të bëhej deri më 31 korrik të vitit 2004. Por ky operacion deri tani nuk ka përfunduar. Premtimit, Xhafa i ka shtuar një fakt shumë të njohur, atë të mbipopullimit. Hapja e burgut të Lezhës, sipas drejtuesve të burgjeve, do të lehtësojë shumë punën në këtë drejtim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›