Piramidat, Arapi në gjyq për asetet e shoqërive
15/03/2005 TIRANË – Farudin Arapi pritet të përballet sot me drejtësinë. Komisioni parlamentar për transparencën e firmave piramidale ka bërë kallëzim në Prokurori për të gjitha shpërdorimet që janë bërë me asetet e firmave rentiere. Ndërsa dosja e Prokurorisë është përcjellë për në gjykatë. Nga verifikimet e bëra mësohet se, Arapi me grupin e tij të transparencës kanë shpërdoruar detyrën. Bëhet fjalë për shitjen e aseteve të kompanive të mëdha piramidale. "Vefa Hollding" është një nga firmat, më pas është "Gjallica" dhe "Demokracia Popullore". Shoqëritë e tjera huamarrëse kanë më pak asete të shitura, gjithsesi ato do të verifikohen në gjykatë. Nga hetimet e kryera në Prokurori ka rezultuar se, vlera e objekteve të shoqërive ka qenë më e madhe se sa ajo e deklaruar nga Farudin Arapi. Pretendime për shitjen e objekteve me vlerë më të ulët se sa paraqiten në treg, ka patur bosi i shoqërisë "Vefa Hollding". Po kështu gjatë shqyrtimit gjyqësor, edhe Shemsie Kadria është shprehur se, Farudin Arapi, në cilësinë e kryetarit të mbikëqyrjes, ka manipuluar në shifra në momentin e shitjes së aseteve. Drejtuesit e këtyre firmave piramidale kanë pretenduar se objektet e tyre kanë qenë me vlerë të madhe dhe janë shitur për një copë bukë. Janë shitur shtëpi, dyqane, fabrika, makina dhe troje. Më shumë asete në momentin e ngrirjes së firmave ka patur "Vefa" dhe "Gjallica". Të gjitha veprimet për shitjen e tyre janë kryer nga një grup i ngritur nën drejtimin e Arapit. Pas pretendimeve të "bosëve" të piramidave ishte Komisioni për Transparencën në Kuvend, ai që e çoi çështjen në Prokurori. Para gjykatës pritet që Arapi me grupin e tij do të raportojë zë për zë të gjitha vlerat e aseteve të shitura.