E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgu 302, masa ndaj policëve që përdorën dhunë

08/04/2005  TIRANË – Ndëshkimet që filluan të merren pas zbulimit të një letre anonime kundër drejtorit të Burgut 302, Petrit Ismaili, do të vazhdojnë më tej. Burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve shprehen se, masa ndëshkimore do të merren edhe për policët e këtij burgu, të cilët pa të drejtë kanë ushtruar dhunë fizike, apo psikologjike ndaj të paraburgosurve. Edhe në njoftimin e dalë nga Ministria e Drejtësisë, thuhet se keqtrajtimet në Burgun 302 e kanë zanafillën shumë larg. Rastet e konstatuara kohët e fundit, nuk janë të vetmet, sipas tyre. Kështu, ndërsa dhuna kundër të paraburgosurve është ushtruar nga policia e burgut, të parët që u ndëshkuan ishin drejtori dhe shefi i policisë, Kamber Hoxha. Rastet dhe emrat e tjerë konkretë do të merren në shqyrtim në ditët në vazhdim. Për ministrin e Drejtësisë, Fatmir Xhafa, është e pafalshme përdorimi i dhunës në burgje. Të gjithë të paraburgosurit dhe të dënuarit kanë të drejtë të trajtohen sipas dispozitave dhe ligjeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Por kjo e drejtë shpesh nëpërkëmbet. Të paraburgosurve në disa raste nuk u lejohet të kryejnë veprime që nuk pëlqehen nga policët. Madje, kulmi arrin kur polici i thotë të paraburgosurit që ende nuk ka dalë për gjykim, të mbyllë gojën dhe të flasë atëherë kur do ai. Këto raste janë bërë prezente shumë herë në sallat e gjyqit. Madje, të pandehur të veçantë janë sjellë për gjykim me plagë të rënda në trup. Inspektimi që u krye në Burgun 302 dhe që mori shkas nga një letër anonime e dërguar në zyrën e ministrit, do të bëhet edhe në të gjitha burgjet e tjera. Të dënuarit dhe paraburgosurit që kanë patur pretendime për sjellen e policisë, do të pyeten pa praninë e drejtuesve të burgut. Burime të Ministrisë së Drejtësisë thanë se, në rast konstatimi të shkeljeve, shkarkimet do të jenë në masë të gjerë. Keqtrajtimet në Burgun 302 filluan menjëherë pas transferimit të paraburgosurve nga reparti 313-të. Në këtë burg do të qëndrojnë të gjithë të pandehurit që presin gjykimin nga Krimet e Rënda.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›