Lamaj, 30 seanca gjyqësore të shtyra në gjykatë
08/04/2005 TIRANË – Altin Lamaj, pronar i lokal "Venecia", ka hequr dorë nga disa avokatë për t'u rikthyer edhe një herë në "bazë". Dje, Altin Lamaj ka kërkuar të mbrohet përsëri nga avokati i tij i zgjedhur, Genc Gjokutaj. Por, seanca gjyqësore nuk u arrit të zhvillohej. Gjokutaj kërkoi të njihet me dosjen penale. Ndërkohë që gjykata ishte e detyruar të shtyjë seancën dhe të pezullojë për të 30 afatet e paraburgimit. Është dashur vetëm një seancë e shkurtër për të caktuar datën dhe orën e gjyqit të radhës kundër Altin Lamaj. Është rasti i parë që Gjykata e Krimeve të Rënda përballet me një fenomen të tillë. I pandehuri Altin Lamaj, i akuzuar për disa vrasje në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje, nuk i ka lënë hapësirë gjykatës të nisë shqyrtimin gjyqësor, duke nxjerrë në çdo seancë nga një pretendim. Dosja në ngarkim të tij ka ardhur që mesin e vitit të kaluar. Vetë i pandehuri është paraqitur në gjyq disa seanca, ndërkohë që nuk ka pranuar të mbajë të njëjtin avokat. Loja me avokatët ka vazhduar gjatë. Kur vinte njëri avokat, mungonte i pandehuri dhe kur vinte ky i fundit, avokati pa shkak nuk paraqitej. Për prokurorin e çështjes, i pandehuri vendos vetë se kur do të vijë në gjyq dhe kur është gati të përballet me akuzat. Disa herë, Lamaj ka dërguar në gjykatë disa copa letre, me anë të të cilave shpjegonte arsyet e mosparaqitjes në gjyq. Përveçse akuzohet për disa vrasje të kryera në bashkëpunim me Elidon Kotorrin dhe armëmbajtje pa leje, Altin Lamaj ka mbi shpinë edhe vrasjen e Alban Çelës, djali i Kudret Çelës.