E Diel, 1 Nëntor 2026

Papa,Schiavo dhe Bushi

07/04/2005  Znj. Schiavo vdiq ditën në të cilën asaj (vdekjes) i afrohej edhe një jetë tjetër: ajo e Papës Vojtila, i cili vetëm disa ditë më parë, mbase duke e parandjerë fatin, tha se të gjithë njerëzit meritojnë të jetojnë me dinjitet, duke u vënë në mbrojtje të jetës njerëzore pa marrë parasysh rrethanat ose vështirësitë. Duke e mbrojtur jetën njerëzore të znj.Schiavo, Presidenti Bush i mbrojti vlerat morale të njerëzimit, të cilat i shpallte Papa.

Vlerat morale

Fundi i marsit dhe fillimi i prillit e vunë në sprovë dinjitetin njerëzor. Papa Gjon Pali II vdiq në moshën 84-vjeçare. Nuk ka nevojë të thuren lavde për Papën: ai është i veshur me to. Por, duhet rikujtuar se gjatë periudhës 27-vjeçare, sa e udhëhoqi kishën katolike, ai bëri aq shumë për lirinë njerëzore, duke e konkretizuar nëpërmjet përpjekjes së tij të vazhdueshme për bashkimin e Evropës, për përfundimin e resë së zezë të komunizmit, e cila e pati pllakosur një pjesë të Evropës, për bashkëjetesën e religjioneve etj. Shqiptarët e kujtojnë si Papën që e puthi tokën e shqiptarëve pas përmbysjes së komunizmit, që e zgjidhi kardinalin shqiptar, Mikel Koliqin, që ndihmoi për lirinë e një pjese të popullit shqiptar, atij të Kosovës dhe që vazhdoi të lutej për të deri në fund të jetës së tij.

Mbrojtja e lirive njerëzore, e vlerave morale, e ka shndërruar atë në shembull të një Pape të urtë, i cili i ushqeu me ndjenja bamirësie miliona e mbase miliarda njerëz gjithandej rruzullit.

Vetëm dy ditë më herët, një tjetër vdekje trandi njerëzimin. Terri Schiavo vdiq pasi, me vendim të një gjykate amerikane, iu hoq tubi, me të cilin ajo ushqehej 15 vjet. Por, para se ajo të vdiste në SHBA, u zhvillua një debat i ashpër, nëse duhej apo jo t’i hiqej ky tub. Ky debat e preku edhe Shtëpinë e Bardhë.

Dinjiteti njerëzor

Çfarë e bashkon, pra, vdekjen e Papës dhe të Terri Schiavos? Pse ndërhyrja e Presidentit Bush në rastin e parë dhe titulli për Papën si “kampion i lirisë dhe i së mirës njerëzore” shpërfaq një segment shumë të rëndësishëm të politikës amerikane dhe përgjithësisht të rolit të saj në shtirjen e lirisë globale?

Papa Vojtila, vetëm disa ditë para se të vdiste, mbase duke e parandjerë fatin, tha se të gjithë njerëzit meritojnë të jetojnë me dinjitet, duke u vënë në mbrojtje të jetës njerëzore, pa marrë parasysh rrethanat ose vështirësitë. Ndërkohë, Presidenti Bush u përfshi në debatin për heqjen ose lënien e tubit ushqyes për zonjën fatkeqe, Terry Schiavo. Duket paradoksale, por përfshirja e tij në këtë debat paraqet një segment shumë të përgjegjshëm të politikës amerikane: luftën e saj për shtrirjen e lirisë globale.

Duke e respektuar vendimin e gjykatës, Presidenti Bush bëri thirrje që me çdo kusht të mbrohet jeta e njeriut. Mediat nuk ngurruan që ta përfolin ndërhyrjen e tij si të pavend. Të dëmshme, madje. Thuhej po ashtu se autoriteti i Presidentit Bush po binte, sepse ai ishte deklaruar rreth rastit Schiavo, rast që, sipas opinionit amerikan, duhej t’i lihej ekskluzivisht gjykatave.

Sidoqoftë, Presidenti Bush e mbrojti një parim themelor të demokracisë amerikane: lirinë njerëzore, vlerat e konservatorëve amerikanë për domosdonë e ruajtjes së jetës së njeriut. Ajo që iu pa për të madhe Presidentit Bush, ka gjasë ta forcojë pozcionin e tij dhe të konservatorizmit amerikan që ai e mbron.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›