Burgu 313, PS merr 8 vota më tepër se PD
TIRANE - Burgu 313 voton për Partinë Socialiste. Pas numërimit të votave të qendrës numër 1967, mbrëmë rezultoi se Partia Socialiste kishte marrë një numër më të madh se sa Partia Demokratike, e cila pretendonte të fitonte në këtë qendër. Burime nga KZAZ numër 53 e vendosur në mjediset e Muzeut Kombëtar pohuan mbrëmë se pas numërimit të votave të burgut 313 ka rezultuar se Partia Socialiste kishte kryesuar me 8 vota më tepër, garën ndaj Partisë Demokratike. Po kështu, të njëjtat burime pohuan se numërimi i votave të institucionit tjetër të paraburgimit në kryeqytet, atij 302, në fillim u duk se ishte abuzuar pasi në kuti u gjetën 32 fletëvotime më tepër nga sa ishin shënuar në procesverbalin, që kishte mbajtur komisioni i Qendrës së Votimit. Kjo ka shkaktuar debat fillimisht, por më pas doli se qe një keqkuptim i grupit të numërimit, pasi 32 të paraburgosurit që kishin votuar pa pasur emrin në listë, ishin arrestuar javët e fundit dhe pas përpilimit të listave kishin fituar të drejtën për të votuar në burg me anë të vendimeve të Gjykatës së Tiranës. Emrat e tyre ishin shënuar në një regjistër të veçantë, i cili ishte firmosur dhe vulosur pa vërejtje nga të gjithë anëtarët e komisionit, që gjithashtu kishin bashkëngjitur edhe vendimet gjyqësore për secilin votues. Gjatë votimeve të së dielës në këtë institucion votuan edhe personazhe të njohura të burgjeve, si i akuzuari si kapo i bandës së Durrësit, Lulëzim Berisha, dy të pandehurit e “Gërdecit” Dritan Minxolli dhe Ylli Pinari. Ndërsa Mihal Delijorgji, i akuzuari i kryesor në dosjen “Gërdeci” nuk pranoi të votonte, duke u shprehur se nuk kishte siguri nëse qendra e votimit survejohej nga kamera. Burime nga ky institucion pohojnë se Delijorgji kishte tentuar katër herë të paraqitej në qendrën e votimit, por asnjëherë nuk e kishte kaluar korridorin, pasi nuk kishte marrë garanci, që aty nuk kishte gazetarë apo kamera që mund ta filmonin. Komisioni i Qendrës së Votimit e priti Delijorgjin dhe disa të burgosur të tjerë të shkonin të votonin, por këta nuk pranuan derisa u mbyll orari zyrtar. fa.ma
Zani Çaushi ia jep votën PD-së
Zani Çaushi voton për PD. Ish i forti i Vlorës në vitin 1997, mbi të cilin rëndojnë dy dënime, një i përjetshëm dhe një me 25 vjet burg, ka vendosur që votën e tij në zgjedhjet elektorale të 28 qershorit ta hedhë djathtas. Këtë fakt e pohojnë burime nga burgjet, sipas të cilëve Zani Çaushi, ka votuar në qendrën e votimit në burgun e Burrelit, ku ndodhet i izoluar prej shumë vitesh. Ish-kapoja i Vlorës në vitin 1997 njihet si një nga përkrahësit e të majtës, por siç duket, burgosja për krime të kryera gjatë rrëmujave të vitit 1997 në qytetin e Vlorës, ka bërë që Zani të ndryshojë bindjen politike, duke votuar djathtas kësaj here. Burime nga burgjet pohuan dje se i burgosuri përjetë e ka deklaruar votën e tij hapur pasi e kishte plotësuar atë dhe e kishte hedhur në kuti.