Rezultati i Tiranës, bastionet mund të prishin barazimin
Fatos Mahmutaj & Armand Bajrami
Rezultatet e votimit ne Tiranë pritet t’i vendosnin kutitë e pahapura të bastioneve të djathta e majta. Ky ishte konstatimi paraprak pas numërimit të më tepër se gjysmës së votave në kryeqytet. Ende nuk janë hapur kutitë e atyre zonave që njihen si bastione të djathta si Kavaja, Paskuqani, Iba dhe Farka. Po kështu nuk janë hapur as kutitë zonës së Bllokut, Tiranës së re dhe mbi 20 kuti të Kombinatit, ku e majta ka fituar gjithmonë. Mbrëmjen e djeshme kudo nëpër KZAZ-të e kryeqytetit numëroheshin vota. Grupet e numërimit ndodheshin në kulmin e punës. Zagushia e djeshme dhe rrëmuja lehtësisht e dallueshme e qendrave të numërimit të votave sfidohej nga sytë vigjilentë të komisionerëve dhe vëzhguesve që ndiqnin të gjitha procedurat, duke pohuar apo kontestuar sipas rastit. Fillimisht fletëvotimet hapeshin në tavolinën e punës të vendosura mbrapsht mbi njëra-tjetrën. Numëroheshin për t’u verifikuar nëse numri i tyre përputhej me procesverbalin e qendrës së votimit dhe pas kësaj niste numërimi i tyre sipas fituesve. Çdo fletë “skanohej” nga kamera e fiksuar sipër stativit, ndërsa monitorët e mëdhenj të vendosur përballë ua paraqitnin vëzhguesve që shënonin nëpër blloqet e tyre. Në Qendrën e Numërimit 51 pasditen e djeshme ishin numëruar 15 kuti. E llogaritur në total, koalicioni i majtë i kryesuar Partia Socialiste, Bashkimi për Ndryshim, kishte arritur të siguronte rreth 200 vota më tepër se Aleanca e Ndryshimit e kryesuar nga Partia Demokratike. “Edhe pak orë ka për të zgjatur ankthi i numërimit të votave”. Këtë shprehje e dëgjuam nëpër të gjitha qendrat e numërimit mbrëmjen e djeshme në kryeqytet. Veç KZAZ-së numër 57 ku numërimi i votave ishte bllokuar nëpër të gjitha pikat e tjera të numërimit të votave ishin numëruar më tepër se gjysmat e kutive. “Shpirti i kundërshtimit” reflektohej më shumë se kurrë dje tek vëzhguesit e procesit të numërimit të votave. Të vendosur në radhë karrigesh përballë monitorëve që shfaqnin pamjet e kamerave të fokusuara mbi fletët e votimit ata nuk ngurronin të ndërhynin edhe verbalisht. Një fletë e deklaruar “e pavlefshme”, nga katërshja e numërimit nuk mund të kalonte pa komente nga vëzhguesit. “Po, po, shumë mirë bën. E katërta fletë votimi që e quan të pavlefshme. Nëse e konstaton të pavlefshme mos e prek fletën fare. Të vijë kryetari i KZAZ-së ta shikojë vetë. Vendos ai është e pavlefshme apo jo”, i drejtohej me ton të ashpër zëri një vëzhgues partiak personit që “radhiste” para kamerës fletët e votimit në pikën e numërimit numër 5 në KZAZ-në tek “Shkolla e Kuqe”. Ndërsa në KZAZ-në e pozicionuar në shkollën “Hasan Prishtina” procesi i numërimit kishte “ngecur” për pak çaste gjatë orëve të pasdites së djeshme për shkak të “ndërhyrjeve të jashtme”. Sipas vëzhguesit K.D., shqetësimi kishte ardhur nga anëtarët e partive humbëse në atë qendër numërimi. “Partitë që rezultojnë humbëse sjellin anëtarët e tyre. Duan të quajnë të vlefshme fletët e deklaruara nga komisioni “të pavlefshme”, tregoi vëzhguesi. Numërimi i votave në mënyrë korrekte dhe transparente kishte më shumë rendësi se çdo gjë tjetër dje në qendrat e numërimit të votave. Për të tjerat askujt “nuk i bëhej vonë”. Zhurma dhe njerëzit që lëviznin në të gjitha drejtimet. Bazë materiale e hedhur andej-këndej nëpër cepat e qendrës. Kartona të mëdhenj, ish-dhoma të fshehta votimi, me simbolet kombëtare mbi të “shoqëronin” që prej shkallëve dhe deri brenda ambienteve të numërimit të votave.
Tabela e kryeqytetit
KZAZ 51 vendosur në mjediset e Fakultetit të Ndërtimit
Qendra votimi gjithsej 51
Numëruar, 36 kuti
Në pritje të numërimit, 15 kuti
Avantazh, PS rreth 200 vota
Përfundimi i numërimit rreth mesnatës
KZAZ 49 vendosur në mjediset e shkollës “Vasil Shanto”
Qendra votimi gjithsej 65
Numëruar 25
Në pritje të numërimit 40
Avantazh, PS në të gjitha kutitë
Përfundimi i numërimit, gjatë ditës së sotme
KZAZ 52 vendosur në mjediset e “Shkollës së kuqe”
Qendra votimi gjithsej 30
Numëruar, 25 kuti
Në pritje të numërimit, 5 kuti
Avantazh, PD rreth 720 vota
Përfundimi i numërimit para mesnate
KZAZ 48 vendosur në mjediset e shkollës “Bajram Curri”
Qendra votimi gjithsej 42
Numëruar, 21 kuti
Në pritje të numërimit, 21 kuti
Avantazh, PS rreth 300 vota
Përfundimi i numërimit gjatë ditës së sotme
KZAZ 47 vendosur në mjediset e shkollës “Hasan Prishtina”
Qendra votimi gjithsej 29
Numëruar, 15 kuti
Në pritje të numërimit, 14 kuti
Avantazh, PS rreth 900 vota
Përfundimi i numërimit gjatë ditës së sotme.
KZAZ 53 vendosur në mjediset e Muzeut Kombëtar
Qendra votimi gjithsej 39
Numëruar, 25 kuti
Në pritje të numërimit, 14 kuti
Avantazh, PS rreth 140 vota
Përfundimi i numërimit pas mesnatës
KZAZ 54 vendosur në mjediset e shkollës “Avni Rustemi”
Përfundimi i numërimit në mbrëmje
Avantazh PS me rreth 300 vota
KZAZ 57 vendosur në mjediset e shkollës “Ismail Qemali”
Bllokuar numërimi
Bastioni i djathtë
Elisa Spiropali, kandidate për deputete e Partisë Socialiste duhej të monitoronte procesin e numërimit të votave në të vetmen KZAZ të kryeqytetit, ku paraprakisht ndodhej në avantazh Partia Demokratike. Komisionerët e djathtë akuzuan dje se Partia Socialiste kishte tërhequr komisionerët e vet për të ndaluar procesin, ndërsa Spiropali pohoi se kjo nuk ishte e vërtetë dhe se komisionerët e majtë do ktheheshin sërish. Madje sipas saj, PS krahasuar me vitin 2007, kishte fituar në këtë zonë 30% vota më shumë. Në qendrën 52 të vendosur në mjediset e “Shkollës së Kuqe” deri në orët e para të mbrëmjes së djeshme ishin numëruar fletëvotimet e 25 kutive nga 30 që ishin gjithsej. PD kryesonte në 20 qendra votimi, ndërsa PS vetëm në 5, kurse e llogaritur në total, Partia Demokratike në total kishte përfituar rreth 720 vota më tepër, rezultat ky që pritej të rritej edhe më tepër pas numërimit të 5 kutive të tjera që qëndronin në pritje.