E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zika: PD bllokoi punën, policia s’na lejon të hyjmë

 

TIRANE – Procesi i numërimit të votave u ndërpre për disa orë dje në qendrën e numërimit të votave numër 57 në kryeqytet. Kjo KZAZ që ishte vendosur në ambientet e shkollës “Ismail Qemali” e kishte “frenuar” numërimin e votave në orën 18:00. Sipas kreut të Partisë Socialiste të Komunës Farkë, Servet Zika, gjithë “strumbullari” i ndërprerjes së procesit të numërimit të votave ishte kutia e votimit të Farkës. Në një prononcim për “Panorama”, Zika, pohoi se ndërprerja e procesit ishte bërë pas mbërritjes në këtë KZAZ të kutisë së votimit të Farkës. Ndërsa tregonte me gishtin tregues brenda gardhit rrethues të shkollës “Ismail Qemali” automjetin e komunës, të njëjtin që kishte sjellë kutinë e votimit në KZAZ, Zika nuk lejohej nga punonjësit e policisë të futej brenda portës. “Njerëzit e Partisë Demokratike janë brenda. Na kanë thënë që në ambientin ku është lënë kutia e votimit është një përfaqësues i PS dhe një i PD, por ne nuk kemi asnjë siguri se është e vërtetë. Njerëzit e PD janë aty, ndërsa ne rrimë këtu si jetimë”, tha Zika, ndërsa qëndronte para dy punonjësve të policie që pengonin kalimin. Sipas Zikës, procesi i numërimit do të rifillonte në orën 22:30. Policia nuk lejonte gjatë kësaj kohë asnjë person të afrohej tek qendra e numërimit të votave. Sipas tyre, ata ishin të urdhëruar të mos lejonin futjen e asnjë personi, përfshi këtu edhe komisionerë, apo edhe gazetarë deri në rifillimin e procesit. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›