Rezultatet, Berisha dhe Rama s’deklarojnë fitore
Aristir Lumezi
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe kryetari i PD-së Sali Berisha shprehën dje durim për të mësuar certifikimin e rezultatit zyrtar përmes KQZ-së. Rama bëri thirrje dje që të mos ushtrohet presion mbi numëruesit e votave në Qendrat e Numërimit të Votave. Duke e konsideruar fazë shumë të rëndësishme numërimin e votave, në një konferencë për shtyp nga selia e PS, Rama kërkoi që Policia e Shtetit të luajë një rol maksimalisht impenjativ në këtë fazë dhe të mos shndërrohet në një bashkëpunëtore e pushtetit. Por numri një i socialistëve nuk bëri komente për fitoren e PS. Sipas tij, rezultati tashmë dihet, dhe nuk ka komente për të. E rëndësishme sipas tij është të përfundohet me sukses kjo fazë, e rëndësishme, pa anomali si në të kaluarën.
“Ne jemi te informuar për vënien në lëvizje të një plani për bllokimin e qendrave të numërimit dhe kutive, sepse procesi i numërimit po hyn në fazën kur rezultatet do të fillojnë të kthjellohen pas një faze të parë, kur ashtu siç ndodhi dhe në 2005-ën, ku u orkestrua një proces numërimi duke hapur kutitë me rezultatet më të favorshme për ata që e bënë këtë gjë”, tha Rama.
Rama vuri në dukje edhe vlerësimin që ndërkombëtarët i bënë procesit të votimit, ku konsideruan se nuk u arritën standardet e dëshiruara. Ndaj sipas Ramës, është momenti për të ngritur zërin që kjo natë të mos sjellë anomali dhe të mos përshkallëzohen veprime penguese. Kryetari i PD-së, Sali Berisha i quajti “broçkulla” pretendimet e Edi Ramës për presion ndaj komisionerëve. “Do ta pranoj rezultatin si do që të jetë, s’ka asnjë lloj dyshimi, unë jam i kënaqur me mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet dhe unë do ta pranoj rezultatin. Nuk ka asnjë lloj tensioni dhe asnjë lloj problemi nga ana ime”, tha Berisha. Kështu u shpreh kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për shtyp, pak minuta pas deklaratës së Edi Ramës. Kryetari i Partisë Demokratike ka pohuar se do të pranojë çdo rezultat që do të shpallet në rrugë zyrtare për zgjedhjet parlamentare. Edhe Berisha, ashtu si Rama shprehu vlerësimin maksimal për ecurinë e procesit. Berisha la të nënkuptohet se edhe në rast fitoreje, ajo do të jetë jashtëzakonisht e ngushtë. Berisha ka bërë thirrje madje të ruhet qetësia dhe gjakftohtësia deri në daljen zyrtare të rezultateve. “Ne jemi shumë të interesuar që rezultati të dalë sa më parë. Dua të ruajmë gjakftohtësinë ky është një proces i rëndësishëm”, u shpreh Berisha.